Bashota dhe dy vëllezërit Bajrami dalin para gjykatës nën akuzat për krim të organizuar

Arben Bashota dhe dy vëllezërit Sylejman dhe Osman Bajrami, të akuzuar për krim të organizuar, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e sotme, është bërë leximi i aktakuzës, me ç’rast i akuzuari Arben Bashota deklaroi se aktakuzën e ka të paqartë në tërësi, ndërsa lidhur me paqartësitë, kërkoi që të sqarohen përmes mbrojtësit të tij.

Mbrojtja e të akuzuarit Arben Bashota, avokati Ilir Hoxha, tha se ka paqartësi sa i përket rastit të 18 marsit 2008, rastit të 16 qershorit 2008, si dhe rasteve të kërcënimit ndaj zyrtarëve të kadastrit.

“Kërkojmë nga Prokuroria që të na sqarojë statusin e çështjeve, që kanë të bëjnë me rastin e 18 marsit 2008, rastit të 16 qershorit 2008, si dhe rasteve të kërcënimit ndaj zyrtarëve të kadastrit”, tha avokati Hoxha.

Prokurorja e rastit, Merita Bina- Rugova tha se sa i përket rastit të 18 marsit 2008, sipas informacioneve të Prokurorisë ashtu siç është e përshkruar në dispozitivin e aktakuzës, aktakuza është ngritur kundër të pandehurve Osman Bajrami, Sylejman Bajrami dhe Ruzhdi Shaqiri (Tani i ndjerë).

“Mirëpo deri në kohën kur është ngritur kjo aktakuzë, që është objekt i shqyrtimit, s’kemi informacion shtesë, nëse ky rast ka përfundu sa i përket rasteve të kërcënimeve. Sa i përket informacioneve që i kemi siguru ne si Prokurori, i kemi vendosur në arsyetimin e aktakuzës”, tha prokurorja Bina-Rugova.

“Sa i përket kërcënimeve kundër zyrtarëve të kadastrit, konsiderojmë se për çështjen kryesore s’është nga rëndësia qenësore vendimi i këtyre rasteve, mirëpo ka rëndësi se këto raste janë paraqitur në polici, si kërcënime kundër zyrtarëve të Drejtorisë k adastrale”, shtoi Bina- Rugova.

Të tre të akuzuarit, u deklaruan të pafajshëm.

Prokurorja Bina- Rugova po ashtu shtoi se, mbetet pranë fjalës hyrëse, të datës 24 prill 2017.

Përfaqësuesja ligjore me autorizim të ATK-së, Vjollca Haliti, tha se mbetet në tërësi të aktakuzës së inicuar nga Prokuroria.

“Mbetem në tërësi të aktakuzës së inicuar nga Prokuroria Speciale, sa i përket kërkesës pasurore juridike mbesim pranë asaj kërkese pasurore juridike si më herët. I propozoj Gjykatës që me rast të marrjes së vendimit, ta shqyrtojë kërkesën pasurore juridike”, theksoi Haliti.

Ndërsa mbrojtja e të dëmtuarve, Skënder Musa tha se mbështesin aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

“Mbështesim aktakuzën e Prokurorisë speciale, mbesim pranë fjalës hyrëse të dhënë me 24 prill 2017, dua të shtoj se gjatë këtij procesi gjyqësor, të akuzuarit kanë vepruar si grup i strukturuar mirë në bazë të roleve të ndara”, tha avokati Musa.

Ai shtoi se duan të paraqesin dhe kërkesën pasurore juridike të përmirësuar.

“Në këtë fazë të procedurës, duam të paraqesim dhe kërkesën pasurore juridike të përmirësuar. Nga detyrimi që vazhdon dhe gjatë procesit gjyqësor dhe pas ngritjes së aktakuzës, të akuzuarit s’pranojnë me i liru lokalet e palëve të dëmtuara deri tani. Kompensimi në dëm total është 484,500 euro, të cilin dëm kërkojmë që ju si kolegj ta aprovoni me anë të aktgjykimit penal dhe këtë me qëllim që të mos shkojmë në procedurë civile dhe pala e dëmtuar heq dorë nga kamatat”, theksoi avokati Musa.

Ai shtoi se gjatë kësaj procedure, do të kërkojnë që të bëhet përmirësim, ashtu siç ka kërkuar Gjykata e Apelit.

“Të anulohen të gjitha kontratat e falsifikuara, të anulohen aktgjykimet dhe aktvendimet dhe çdo shkresë tjetër që në bazë të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve, konsiderohen të paqena. Kërkojmë nga kolegji që të ketë aktgjykim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të eliminojë të gjitha pasojat e veprës penale”, shtoi avokati Musa.

Avokati Ilir Hoxha, i cili mbron të akuzuarin Bashota, tha se është hera e tretë që ndiqet klienti i tij dhe se me këtë është cenuar parimi i legalitetit të ndjekjes penale, e që sipas tij si fakt është se kemi të bëjmë më një aktakuzë që është në kundërshtim me standardet juridike.

“Konsiderojmë se me këtë aktakuzë nuk mund të vazhdojmë tutje, nëse Prokuroria nuk e bën përmirësimin e aktakuzës duke u mbështetur në fakte dhe materiale provuese që nuk e kanë statusin e çështjes së gjykuar, në kuptim të objektit dhe subjektit. I propozoj Gjykatës që duke u mbështetur në dispozitat ligjore, të sjellë aktvendim mbi refuzimin e aktakuzës, sa i përket çështjes së gjykuar në kuptim të subjektit dhe objektit të kësaj procedure”, theksoi avokati Hoxha.

Prokurorja Bina- Rugova u deklarua se, vërejtjet e mbrojtjes janë plotësisht non-sens.

“Konsideroj se vërejtjet e mbrojtjes janë plotësisht non-sense, pasi që në këtë rast është fjala për vepër penale të krimit të organizuar, një vepër që i konsumon plot raste individuale, të kryera në një periudhë rreth 10 vjeçare. Pasi kemi të bëjmë më një seri të veprave penale dhe rasteve të dështuara brenda kësaj periudhe, kjo vetëm e përforcon aktakuzën aktuale, në këtë rast kurrsesi s’mund të konsiderohet se kemi të bëjmë me situatën res-judicata”, tha Bina-Rugova.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Osman Bajrami, Blerina Kurtaj tha se as që bëhet fjalë për krim të organizuar, pasi sipas saj s’ka asnjë element të kësaj vepre penale dhe Bashota ka pasur të bëjë me një kontest civil.

Ajo po ashtu theksoi se, nuk janë siguruar prova konkrete dhe bindëse lidhur me veprën në fjalën.

“Për asnjë element të dispozitivit të kësaj aktakuze, s’janë siguru prova konkrete dhe bindëse lidhur me veprën në fjalë, provat të cilat i ka propozu Prokuroria e që do administrohen në këtë shqyrtim gjyqësor, nuk do mund ta bindin, asnjë vëzhgues të thjeshtë objektiv të kësaj vepre penale, e jo më këtë trup gjykues”, tha ajo.

Mbrojtja e të akuzuarit Sylejman Bajrami, Ibrahim Maxhuni tha se qëllimi i Prokurorisë është të konstituojë të drejtën e pronësisë të personave të dëmtuar, pa asnjë kriter ligjor.

Tutje ai shtoi se klienti i tij, është përfshirë në këtë çështje penale, për të plotësuar numrin 3 të personave, ashtu që Prokuroria ta inkriminojë për krim të organizuar, si vepër të posaçme penale.

Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi tha se seanca do të duhej të vazhdonte në kushte normale, por ishte orari i pauzës dhe anëtari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni, kishte seanca të caktuara pasdite, ashtu që seanca e sotme u shty.

Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, kurse nga shkalla e parë Arben Bashota dhe dy të akuzuarit Sylejman dhe Osman Bajrami, ishin shpallur fajtorë për veprën penale detyrim.

Arben Bashota ishte dënuar me 6 vite burgim, Osman Bajramit  me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa Sylejman Bajrami  ishte dënuar me 3 vite burgim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin, i njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarit Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, Murat Tërnava pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”. Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e objekteve të ndërtuara, në pronën kontestuese nga të dëmtuarit është më shumë se 5 milionë euro.

E kujt është prona 10 hektarëshe?

Pronësia mbi pronën 10 hektarëshe është elementi kyç që Prokuroria ka ngritur aktakuzën ndaj Arben Bashotës dhe vëllezërve Bajrami. Viti 2004 shënon fillimin e presioneve të të akuzuarve ndaj të dëmtuarve.

Sipas Prokurorisë, Arben Bashota kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale të Prishtinës të datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit prona e kontestuar i ishte kthyer në pronësi private personit të quajtur Marko Mitroviq.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Arben Bashota po ashtu me një autorizim të falsifikuar pretendon se është i autorizuari i Mitroviqit që të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike në lidhje me pronën. Prokuroria pretendon se pikërisht duke u thirrur në këto autorizime Bashota kërkon nga Drejtoria e Kadastrës që të bëjë regjistrimin e këtyre ndryshimeve të pronësisë.

Sipas Prokurorisë, Drejtoria e Kadastrës në mars të vitit 2004 vihet në lajthitje dhe në bazë të kërkesës së Bashotës merr aktvendim me të cilin e vërteton atë çështje dhe disa ditë më pas lëshon edhe fletën poseduese për këtë pronë.

Për të vërtetuar pretendimin e saj Prokuroria përmend se ndaj Mitroviqit, është zhvilluar procedurë penale për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2006. Pikërisht, Mitroviq sipas aktakuzës së prokurores Bina- Rugova, me anë të 6 kontratave të shitblerjes i ka shitur pronën kontestuese Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, Smajl Mehmetit, Xhyle Marajt, Violeta Ahmetit dhe Myzafer Maliqit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit me këto dokumente kanë insistuar te të dëmtuarit që t’u lirohen pronat, duke u paraqitur vazhdimisht në atë tokë dhe duke pohuar se është e tyre.

Viti 2007 sipas Prokurorisë shënon edhe fillimin e kërcënimeve serioze nga të pandehurit drejt të dëmtuarve ashtu që ndodhin disa incidente, siç ishte rasti i marsit 2008 kur Osman e Sylejman Bajrami dhe Ruzhdi Shaqiri paraqiten me ekskavator dhe fillojnë të groposin në pronë.

Të njëjtën ditë sipas Prokurorisë në një lokal në Prishtinë, Ruzhdi Shaqiri, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve Ismet Osmani dhe Hysen Shahini dhe nga ky rast kishin mbetur të plagosur 13 persona.

Sipas Prokurorisë, Mitroviq në vitin 2012 lirohet përfundimisht nga akuza dhe kjo shënon edhe një ngjarje tjetër të rëndësishme për këtë lëndë.

Prokuroria pretendon se Arben Bashota duke përdorur kërcënimin serioz kundër zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrit.

Kadastrës arrin që më 10 maj 2012 të hiqet masa e sigurisë, ndalesa e tjetërsimit dhe aprovohen kërkesat për bartje të kësaj prone dhe të regjistrohen në emrat e gjashtë personave të cilët kinse i kanë blerë këto prona tashmë të parcelizuara nga Marko Mitroviq në mars të vitit 2004.

Aktakuza pretendon se vetëm disa ditë pasi që ka ndodhur kjo, në objektet e të dëmtuarit Murat Tërnava kanë shkuar të pandehurit Arben Bashota, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami dhe i ndjeri Ruzhdi Shaqiri dhe këta dy të fundit me revole në dorë kanë kërkuar nga të pranishmit që t’i lironin objektet.

Për më tepër sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin lënë edhe një “njoftim” që kërkonte që uzurpatorët të lironin objektet.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, presioni ishte intensifikuar dhe të pandehurit të dëmtuarve u kishin lënë edhe një ultimatum ku thuhej se “ose t’i lirojnë objektet ose do të vijë deri tek më e keqja”.

Prokuroria pretendon se si pasojë e presionit në Durrës kishte ndodhur një takim mes të dëmtuarit Murat Tërnava dhe Ruzhdi Shaqirit, i cili fliste në emër të Arben Bashotës dhe Osman Bajramit dhe nga ky takim është vendosur që Murat Tërnavës t’i lejohej të shfrytëzohej vetëm njëri prej objekteve për biznesin e tij familjar dhe se për këtë ai do të paguante çdo muaj shumën prej 6,350 euro.

Prokuroria më tej në aktakuzë përshkruan se si pasi kishte bërë një denoncim në polici, i dëmtuari Murat Tërnava ishte detyruar nga persona të paidentifikuar e të armatosur ta tërhiqte këtë denoncim.

Kjo ka ndodhur në kohën kur djali i tij po mbahej peng.

Seanca e radhës u caktua për datën 12 prill, në ora 10:00.