Arsyet e Supremes për ta kthyer nga fillimi gjykimin për Kryetarin e FFK-së

Kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademit do t’i duhet të përballët sërish me Gjykatën e Prishtinës nën akuzën për detyrim në tentativë.

Ademi më 5 korrik të vitit 2019 ishte dënuar me 9 muaj burgim për detyrim në tentativë, ndërsa Muhamet Rama, po ashtu i akuzuar në këtë rast ishte dënuar me 1 vit burgim.

Rreth 7 muaj më vonë, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e mësipërm duke i shpallur fajtorë të akuzuarit për detyrim në tentativë.

Këtë vendim e hodhi poshtë Gjykata Supreme sot, ndërsa urdhëroi që gjykimi për këtë rast të nis nga fillimi.

Supremja aprovoi  kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të të  akuzuarëve Agim Ademi dhe Muhamet Ramës  si të bazuara.

Supremja pasi analizoi shkresat e lëndës gjeti se gjykata e shkallës së parë dhe Apeli kanë shkelur nenin 370 të  kodit të  procedurës penale në lidhje me përpilimin e aktgjykimin e që përben shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Supremja konstatoi se aktgjykimi i  gjykatës së shkallës së parë është  kundërthënës me arsyetimin e vet pastaj mes  fakteve vendimtare ekziston kontradiktë si paraqiten në arsyetimin e aktgjykimit dhe përmbajtjen e dokumenteve dhe  proceserbaleve gjatë procedurës penale.

Tutje në aktgjykimin e Supremes, thuhet se edhe pse  gjykata e shkallës së parë  të akuzuarit Agim Ademi dhe Muhamet  Rama, i ka dënuar se  në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale detyrim në tenativë nuk ka arritur të arsyetojë se si janë marrë vesh të dënuarit për keyrejn e veprës penale, përkatësisht, cilat ishin  rolet  dhe detyrat e tyre në kryerjen e kësaj vepre penale.

Po ashtu, sipas Supremes,  gjykata e shkallës së parë nuk kishte vërtetuar se në ç’mënyrë, në cilin vend dhe si e kanë kërcënuar me vdekje  të dënuarit  tani të dëmtuarin Dritëro Kadollin.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës Supremja gjeti se gjykata e shkallës së parë vendimin dënues e kishte mbështetur në 3 prova dhe atë dëshminë e të dëmtuarit Dritëro Kadolli,  transkripetet e mesazheve telefonike dhe bisedave telefonike nga 6 qershori deri më 10 shtator 2012.

Ndërsa gjeti se të akuzuarit Ademi dhe Rama ishin mbrojtur në heshtje gjykatë ndërsa në Polici e kanë mohuar veprën penale.

Gjithashtu Supremja ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit ka shkruar se i dëmtuari edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte deklaruar se përgjatë tri takimeve me të akuzuairn Agim Ademi nuk ishte kërcënuar nga ai.

Tutje sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë  në raport me të akuzaurin Muhamet Rama, nuk kishte arritur të vërtetonte se me cilat sms apo thirrje telefonike i kishte bërë presion apo kërcënuar  Dritëro Kadolli.

Në radhën e shkeljeve Supremja gjeti  edhe  prova që nuk janë administruar në shqyrtimin gjyqësor.

Supremja gjeti se provën që e kishte dorëzuar i dëmtuari Dritëro Kadolli më 6 tetor 2012, e që ishte një zarf me 10  plumba brenda dhe me një shkrim “e fundit, herën tjetër boom Llapi”, pas shqyrtimit të analizës grafologjike ( shkrimit të gjetur në zarf) del se letra është  shkruar nga vet i dëmtuari Dritëro Kadolli e që kjo provë as që është administruar në shqyrtimin gjyqësor.

“Për shkak të shkeljeve të lartëcekura nga gjykata e shkallës së parë dhe të paevituara nga gjykata e shkallës së dytë me aktgjykimin e datës 15 korrik 2020, çështjen penale i kthen për rigjykim gjykatës së shkallës së parë duke e udhëzuar që  në shqyrtimin gjyqësor të vlerësojë të gjitha provat një nga një dhe të gjitha së bashku lidhur me këtë vepër penale”, thuhet në vendimin e Supremes.

Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore.