Peja- foto:kallxo.com

Arrest shtëpiak për babë e bir të dyshuar për ngacmim seksual ndaj resë dhe rrahje ndaj gruas

Dy të dyshuarve nga Peja iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak nën dyshimet se kanë ngacmuar seksualisht dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.

Të pandehurit janë babë e bir, ndërsa viktima është gruaja e djalit të arrestuar.

Prokuroria ka kërkuar paraburgimin por gjykata e Pejës ka vendosur për masën e arrestit shtëpiak.

I arrestuari i parë është ndaluar nga Policia nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht nusen e djalit të tij.

I njëjti dyshohet së në vazhdimësi e ka ngacmuar të dëmtuarën duke i kërkuar marrëdhënie seksuale, më qëllim që ajo të mbetet shtatzënë.

I pandehuri i dytë që është bashkëshorti i viktimës, po dyshohet që ka goditur bashkëshorten me grushte në buzë, sy, kokë, shpinë dhe i ka shkaktuar dhunë psikologjike, duke e detyruar të marrë edhe qetësues.

Më këto veprime babai dyshohet të këtë kryer veprën penale ngacmim seksual, ndërsa djali që është edhe bashkëshorti i viktimës për veprën penale të dhunës në familje.