Apeli refuzon ankesën e Telekomit, lë në fuqi vendimin në favor të Z-Mobile

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit Gazmend Nushi, përfaqësues i Telekomit në kontestin me Z-Mobile.

Lajmin e ka konfirmuar avokati Gazmend Nushi.

“Po, Apeli ka refuzuar ankesën e Telekomit por më shumë smund të prononcohem pa lejen e Telekomit”, tha avokati Nushi.

Ankesa nga avokati Nushi ishte parashtruar ndaj vendimit të Gjykatës së  Prishtinës me të cilin ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se  kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Marrëveshja e arritur në vitin 2017 ishte zbatuar pjesërisht. Më vonë, Telekomi i Kosovës ju ka referuar se borxhi i mbetur nga Z-Mobile është rreth 25 milionë euro, mirëpo asnjëherë nuk i kanë publikuar detajet e uljes së borxhit.

Telekomi i Kosovës kishte vendosur të mos e vazhdojë më kontratën me Dardafone për operatorin vitual Z-Mobile.

Pas këtij vendimi, në nëntor të vitit të kaluar Z-Mobile kishte paralajmëruar padi të re kundër Telekomit të Kosovës.