Rasti 'Çekiçi' - 21.01.2020

Apeli nuk e di ‘si ka arritur çekiçi në gjykatë dhe rëndësinë e tij në vrasjen e Naim Hajrizit’

Dilemat mbi një çekiç që dyshohet të jetë mjeti i përdorur për vrasjen e Naim Hajrizit është njëra ndër pikat kundërthënëse që çuan në rikthimin nga fillimi të këtij gjykimi për vrasje.

Gëzim Retkocerit dhe Osman Spahiut  do t’i duhet të përballen sërish me Gjykatën Themelore për akuzën e vrasjes së rëndë të Naim Hajrizit rreth 11 vite më parë.

Më 21 janar  2020, Gëzim Retkoceri  u dënua për herët të dytë nga Gjykata e Prishtinës me dënim  burgimi prej 30 vjetësh për vrasjen e Naim Hajrizit.

Ndërsa Osman Spahiu me 10 vjet burgim për dhënie të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale, kualifikim ky i ndryshuar nga Prokuroria pas seancës së datës 9 korrik 2019, kur i akuzari Osman filloi të fliste rreth vrasjes së Naim Hajrizit.

Por avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e Gëzim Retkocerit aktgjykimin dënues prej 30 vitesh e goditi me ankesë duke bërë që lënda ta shqyrtohet dhe vendoset nga Gjykata e Apelit.

Rreth katër muaj më vonë, Apeli pasi shqyrtoi shkresat e lëndës, vendosi që të njëjtin aktgjykim ta prish dhe lëndën ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë.

Apeli gjeti se Gjykata e Prishtinës, nuk kishte përfillur udhëzimet që kishte dhënë Apeli në vendimin e 21 marsit 2016, kur e ktheu çështjen për herë të parë në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Apeli konstatoi se ekzistojnë kundërthënie në mes dispozitivit dhe arsyetimit të aktgjykimit dënues prej 30 viteve burgim.

Sipas vendimit të Apelit, Gjykata e Prishtinës nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare pasi nuk ka analizuar provat veç e veç dhe në ndërlidhje me njëra tjetrën por vetëm i ka listuar në aktgjykim, duke mos treguar se cila provë cilin fakt e vërteton.

Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë  nuk ka bërë përshkrimin e duhur faktik në aktgjykim sepse nuk është vërtetuar marrëveshja paraprake në mes qelit dhe Gëzim Retekocerit për vrasjen e të ndjerit Naim, e po ashtu nuk janë vërtetuar as rolet e tyre në këtë vrajse, nuk është vërtetuar koha e vrasjes si dhe vendi i kryerjes së veprës penale.

Ndër çështjet e tjera që ka përmendur Gjykata e Apelit në vendimin e saj është edhe çështja e çekiçit me të cilin pretendohet se është kryer vepra penale, Apeli nuk e pati të qartë se si ka ardhur ky mjet në gjykatën e shkallës së parë dhe cila është rëndësia provuese e tij në këtë proces penal.

Po ashtu, sipas Apelit Gjykata e Prishtinës nuk arriti të dëshmojë edhe rëndësinë e provave material si bykyn e drunjve, qeben e gjetur në vendin e ngjarjes si dhe njollat e gjakut nga të cilat është bërë AND-ja e të ndjerit Naim Hajrizi, si janë marrë këto prova dhe si janë ndërlidhur me njëra tjetrën për të vërtetuar fajësinë e Gëzim Retkocerit.

Tutje Gjykata e Apelit, radhiti si shkelje edhe mosarsyetimin e urdhëresave të 30 prillit dhe 1 majit 2009, për bastisjen e auto servisit “Cali”, pasi që aty nuk kishin qenë prezentë 2 dëshmitarë ashtu siç kërkohet me ligj, nuk kishte pasur procesverbal për fillimin dhe mbarimin e bastisjes si dhe nuk ishte ditur se nga kush ishin lëshuar këto urdhëresa, nga prokurori apo nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Lidhur me ADN-në, Apeli gjeti se nuk është arsyetur nga Gjykata e Prishtinës, se rezultatet e kësaj ADN-ja a janë dorëzuar nga hetuesit apo nga teknika kriminalistike si dhe gjeti se rrobave të Gëzim Retkocerit të marra më 1 maj 2009,  nuk iu është bërë ADN-ja.

Andaj Apeli ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që gjatë rigjykimit të japë vlerësimin veç e veç për secilën provë qoftë personale apo materiale dhe në ndërlidhje me njëra tjetrën t’i vërtetojë faktet vendimtare.

Prokuroria në aktakuzë theksonte se me 29 prill të vitit 2009, Gëzim Retkoceri së bashku me personin N. N. tani i panjohur për prokurorinë dhe gjykatën  e kishin  rrëmbyer Naim Hajrizin dhe e kishte mbytur duke e goditur me mjete të forta, e pastaj trupin e pajetë të lidhur në këmbë dhe duar dhe me qese najloni në kokë e kishin dërguar në një vend mes fshatit Smaliushë dhe Debratin dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve e kishin djegur trupin e të ndjerit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Osman Spahiu me datën 30 prill 2009 me kërkesë të Gëzim Retkocerit e kishte thirrë në telefon vëllain e tani të ndjerit Naim Hajrizit duke i thënë se “Vëllain e ke në Shkup, mos e lyp në Polici”, edhe pse kishte njohuri se i akuzuari Gëzim Retkoceri e kishte privuar nga jeta Naim Hajrizin.

Gjykata e Prishtinës, për këtë vrasje me 15 korrik 2015 kishte shpallur fajtorë  të akuzuarit Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun duke  i dënuar me nga 30 vjet burgim.

Por, Apeli si shkallë e dytë me 4 maj 2016 e kishte kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje për shkak se gjykata e shkallës së parë kishte shkelur dispozitat e kodit të procedurës penale.

Me t`u kthyer në rigjykim ky proces penal i njohur si “çekiçi” vazhdimisht ishte përcjellë me tensione në mes familjes Hajrizi dhe Retkoceri e Spahiu e që çoi edhe në denoncimin në Polici për kërcënimet e marra.