Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli kthen në rigjykim rastin e mësimdhënësve të shkollave të Mamushës që u punësuan përmes OJQ-së

Gjykata e Apelit ka gjetur shkelje dhe e ka kthyer në rigjykim rastin ku disa mësimdhënës në shkollat publike të Mamushës janë punësuar përmes organizatës joqeveritare.

Ish-drejtor i arsimit në Mamushë, Cafer Morina dhe drejtori i shkollës “Ataturk”, Rifat Krasniç janë akuzuar se në kundërshtim me ligjin kanë punësuar mësimdhënës në tri shkolla publike.

Për këto akuza, Gjykata e Prizrenit në janar të këtij viti erdhi në përfundim se Morina dhe Krasniç janë të pafajshëm.

Aktgjykimi ishte dhënë nga kryetari Xheladin Osmani me anëtarët Shpresa Emra dhe Sami Gashi.

Por, pak muaj më vonë shkalla e dytë ka gjetur se ky vendim është marrë në shkelje të procedurës dhe në shkelje të ligjit penal. Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar rezulton se aktgjykimi i ankimuar ka kundërthënie në mes të dispozitivit dhe arsyeve të dhëna në aktgjykim por dhe në fakte vendimtare.

Apeli ka paraqitur edhe disa shkelje trupit gjykues që liroi të akuzuarit.

Sipas shkallës së dytë, Gjykata e Prizrenit duhet të arsyetojë se në çfarë baze ligjore ishte hapur konkursi nga një institucion jo publik.

“Ligji për marrëdhënien e punës ka përcaktuar se mësimdhënësit përzgjidhen sipas konkursit publik nga një komision i themeluar nga Drejtoria e Arsimit (DKA), përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e këshillit”-thuhet në vendim.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se gabimisht gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar gjendjen faktike lidhur me cilësinë e të akuzuarve kur ka theksuar se elementi i bashkëkryerjes në cilësinë e personave zyrtar ka mbetur i pavërtetuar.

“Kolegji rikujton se bashkëkryerja e veprës penale rezulton në dy forma duke marrë pjesë në kryerjen e veprës penale apo duke kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale”-ka konstatuar shkalla e dytë.

Apeli po ashtu ka gjetur se Gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar se konkursi ishte publik.

“Gjykata duke konstatuar se kishte konkurs publik, por në anën tjetër ky konkurs ishte shpallur nga OJQ-ja “Human Care” ndërkaq dispozitat ligjore theksojnë se punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar të hap konkurs”-sqarohet në vendim.

Kolegji i Apelit tutje ka thënë se Gjykata e Prizrenit ka vërtetuar gabimisht tejkalimin e kompetencës.

“Gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar gjendjen faktike duke u bazuar se marrëveshja e lidhur ishte kompetencë e Kryetarit të Komunës dhe OJQ-së “Human Care”, pasi që dispozitat ligjore e autorizojnë DKA-në të shpall konkurs dhe të themelojë komision rekrutues”- ka thënë Apeli.

Apeli ka përfunduar se shkalla e parë në rigjykim duhet të vlerësojë se a mund të bartet një përgjegjësi e tillë tek një OJQ.
“Në rigjykim duhet të vlerësohet dhe të jepen arsye se në cilën bazë vlerëson gjykata se mund t’i kalohet një OJQ-je kompetenca e institucionit publik për shpallje dhe rekrutim të mësimdhënësve përderisa shkollat janë publike”- thuhet në gjetjet e Apelit.

Sipas Prokurorisë, Cafer Morina si drejtor i arsimit në Komunën e Mamushës dhe Rifat Krasniç si drejtor i shkollës “Ataturk” akuzohen se nga periudha kohore 1 – 23 nëntor 2020, në kohë të pacaktuar, tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim që të shkelin të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli, duke mos zbatuar qëllimisht ligjin mbi punësimin.

Sipas prokurorisë, të pandehurit themelojnë marrëdhënie pune me mësimdhënësit Kenan Morina dhe Fahri Morina në shkollën e mesme “Ataturk”, si dhe i akuzuari i parë Cafer Morina themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me mësimdhënësen Hysnie Qabrati dhe në shkollën “Zybejde Hanem” me mësimdhënësin Shakir Mazrek, pa zhvilluar procedurë konkursi dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës.

Sipas akuzës konkursi për pranimin e mësimdhënësve ishte shpallur përmes OJQ-së “Human Care” në bashkëpunimin me Komunën e Mamushës.

Me këto veprime Cafer Morina dhe Rifat Krasniç akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.