Foto: Kallxo.com

Apeli kthen në rigjykim çështjen e avokatit pejan Haxhi Çekaj

Gjykata e Apelit ka njoftuar se sot ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj avokatit të akuzuar për mashtrim, Haxhi Çekaj.

Më 2 dhjetor 2019, Haxhi Çekaj ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale mashtrimi dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Po ashtu të njëjtit iu ndalua edhe ushtrimi i profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Por ankesa e avokatit Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Haxhi Çekaj, bëri që lënda të shkojë në Gjykatën e Apelit e cila pasi shqyrtoi lëndën në tërësi gjeti shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Po ashtu Apeli gjeti se  shkalla e parë nuk e ka vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të drejtë dhe të plotë në raport me veprën penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.