Arkiv - Gjykimi i Kolë Pukës | Foto: KALLXO.com

Apeli ia vërteton dënimin me burgim dhe gjobë ish-gjykatësit Kolë Puka

Gjykata e Apelit ka vendosur që ish-gjykatësit Kolë Puka të ia vërtetojë dënimin për kryerje të veprës penale të pastrimit të parave.

Gjykata e Prishtinës në shkurt të këtij viti kishte shpallë aktgjykimin ku gjykatësit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti si dhe gjobë në vlerë prej 3000 eurove për veprën penale të pastrimit të parave.

Ndërsa Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të pranuara nga ana e vetë të akuzuarit si dhe Prokurorisë Speciale, ka vendosur që ta aprovojë ankesën e ushtruar nga ish-gjykatësi.

Por ndonëse Gjykata e shkallës së dytë ia ka aprovuar ankesën ish-gjykatësit, të njëjtit nuk ia ka zbutur lartësinë e dënimit por vetëm ja ka ricilësuar veprën penale nga Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit në veprën penale të Pastrimit të Parave të rregullores së UNMIK-ut 2004/2.

“Me aprovimin e ankesës së akuzuarit Kolë Puka, e sipas detyrës zyrtare, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore-Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, … datë 27.02.2019, përkitazi me ri cilësimin e veprës penale dhe vendimit mbi dënim, ashtu që i akuzuari Kolë Puka shpallet fajtorë për veprën penale Pastrimi i parave nga neni 10.02 i rregullores së UNMIK-ut 2004/2 dhe për këtë vepër penale ia merr si të vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënimin me gjobë në shumë prej 3000 eurove”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Tutje Gjykata e Apelit i ka marrë si të vërtetuara dënimet e veçanta të shqiptuara me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme lidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore si dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Po ashtu i merren si të vërtetuara dënimet e veçanta (të shqiptuara me aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës Supreme të Kosovës ) për veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj dhe për  veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 të KPRK-së, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve ashtu që kjo gjykatë bazuar në nenin 80 të KPRK-së të akuzuarit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj si dhe dënimin me gjobë në shumë prej 3000 eurove. Pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pa prekur.”, thuhet më tej në këtë aktgjykim.

Kolë Puka në qershor të 2017-ës ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për kryerje të veprave penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe pastrimit të parave, vepra për të cilat Gjykata Kolë Pukës i kishte shqiptuar dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim si dhe dënimin me gjobë prej 5000 eurove.

Më pas Gjykata e Apelit me datë 20 nëntor 2017 e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes vetëm përkitazi me vendimin mbi dënim si dhe lidhur me konfiskimin e shtëpisë së ish-gjykatësit, duke ia zvogëluar kështu lartësinë e burgimit nga 4 vjet e 6 muaj në 3 vjet e 6 muaj si dhe dënim me gjobë nga 5 mijë në 3 mijë euro.

Ndaj këtij aktgjykimi të formës së prerë ish-gjykatësi Kolë Puka kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme e cila ish-gjykatësit ja ka aprovuar pjesërisht kërkesën në atë mënyrë që ka marrë vendim për të anuluar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës si dhe asaj të Apelit lidhur me veprën penale të pastrimit të parave duke e kthyer kështu çështjen në rivendosje për këtë vepër ndërsa për dy veprat e tjera penale, Gjykata Supreme e ka ndryshuar vetëm vendimin lidhur me dënim duke i marrë si të vërtetuara dënimet, për veprën penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dënimin prej 1 viti e 6 muaj si dhe për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dënimin prej 2 viteve, që në total ish-gjykatësit i ishte shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej 3 vjet e 4 muaj.