Foto-ilustrim

Apeli e vërteton pafajësinë e anëtarëve të AKPPM-së

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë në rastin e të akuzuarve Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Vlen të theksohet se të akuzuarit në muajin shkurt të këtij viti ishin liruar nga Gjykata e Prishtinës, me ç‘rast Gjykata nuk ka gjetur prova se të njëjtit i kanë kryer veprat që u viheshin në barrë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i Ilir Dushit, Nikë Shala.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se i akuzuari Ilir Dushi në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, së bashku me Haki Ejupin si drejtor i Departamentit, Arian Zenelin dhe Gylten Kurdan si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit pas marrëveshjes paraprake dhe me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPM-ja, e që kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër tjetër serik, vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.

Aktakuza pretendonte se Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda kanë shtypur banderolat dhe insulinë më 2 nëntor 2012, të cilat më pas ishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, e më pas ishin shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.

I ngarkuar sipas kësaj aktakuze kishte qenë edhe Milot Cena, menaxheri i kompanisë “Asgeto”, i cili akuzohej se më 2 nëntor 2012 kishte dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.

Me këtë, Prokuroria e ngarkon për veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, mirëpo të njëjtit i ishte parashkruar vepra penale.