Gjykimi ndaj kryetarit të Klinës Zenun Elezaj - 24.12.2019

Anulohet seanca për korrupsion ndaj kryetarit të Klinës

 

Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë sot procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj.

Elezaj akuzohet nga prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Seanca e sotme është anuluar për shkak se kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj Rugova, ka pasur punë zyrtare në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Tringa Zhuti.

Prokuroria e Pejës po pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosja e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.

Kryetari i Klinës në dëshminë e tij të dhënë para organit ndjekës ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs, vullnetarisht e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe procedurat administrative. LINK