Aksidenti te 'Rruga B': Rritet dënimi i të akuzuarit për aksidentin ku vdiqën dy vajza

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kësisoj i ka ashpërsuar dënimin të akuzuarin në lidhje me aksidentin ku mbetën të vdekura dy vajza në rrugën “B” në Prishtinë.

Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar vetëm sa  i përket vendimit mbi dënim, ashtu që nga 3 vjet e 6 muaj burgim, të akuzuarit dënimi i është rritur në 5 vjet.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, rrethanat e konstatuara dhe të vlerësuara nga gjykata e shkallës së parë nuk justifikojnë shqiptimin e dënimit  më burg  në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muajve, si të mjaftueshëm për arritjen e qëllimit të dënimit, për veprën penale në fjalë,  në të cilën kanë humbur jetën dy persona F.R. 23 vjeçare dhe L.A. 30 vjeçare, ngase nuk është në proporcion me intensitetin e të mirës së mbrojtur, e as me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutor”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Prishtinës në mars të këtij viti e gjeti fajtor dhe dënoi me 3 vjet e gjysmë burg ndërsa ndaj këtij vendimi u ushtrua ankesë nga Prokuroria.