9 vite të akuzuar për votat e vjedhura të LDK-së, PDK-së e Vetëvendosjes e partive të tjera

Edhe pse kanë kaluar afër nëntë vite nga zgjedhjet e vitit 2010 pesë komisionerë të zgjedhjeve po vazhdojnë të përballen me ligjin për atë që prokuroria e quan vjedhja e mbi 700 votave

Mensur Avdullahu, Lulzim Ademi, Driton Xhemaili, Bilall Musliu, Nexhmi Jusufi, akuzohen se gjatë zhedhjeve të dhjetorit 2010, në shkollën fillore ‘’Nëna Terezë’’në Prishtinë, kishin falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Prokuroria pretendon se 738 vota ishin shtuar për kandidatët e preferuar të të akuzuarve.

Votat ishin për shumë parti përfshirë LDK-në 535 vota, PDK-në 102, AAK-në 48, VV-në 40, ndërsa LDD një votë, AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK 12 vota.

Katër të akuzuarit janë paraqitur sot në gjykatë por procesi ndaj tyre është shtyrë në mungesë të prokurores së rastit Habibe Salihu, njërit nga të akuzuarit dhe dëshmitarët.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi pasi konstatoi se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj senace të njejten e ndërpreu dhe e caktoi për mbasditën e 2 tetorit.