14 vjet burg për vrasjen në malet e Vitisë

Bujar Emërllahu, i akuzuar për vrasjen e Ardit Qamilit në malet e Vitisë, është shpallur fajtorë dhe është dënuar me 14 burgim nga Gjykata e Gjilanit.

Gjykata e Gjilanit në përbërje të kolegjit gjykues prej kryetarit Aziz Shaqiri dhe anëtarëve Agim Ademi dhe Veli Kryeziu, e shpalli fajtor të akuzuarin Bujar Emërllahu, për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Prokuroria e Gjilanit e akuzon Bujar Emërllahun se në datën 08.09.2017, në një pjesë malore të fshatit Buzovik të Komunës së Vitisë, pas një mosmarrëveshje për drunjtë në atë mal, përleshet me tani të ndjerin Ardit Qamili dhe pastaj e vret duke shtënë me armë.

Gjykata e Gjilanit të akuzuarin e kishte shpallur fajtor edhe më parë për këtë çështje, mirëpo pas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen për rivendosje.

Në rigjykim Gjykata e Gjilanit e shpalli të akuzuarin fajtor për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Për veprën penale të vrasjes të akuzuarin e dënoi me 13 vite e 6 muaj burgim dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje e dënoi me 1 vit burgim, ashtu që me dënim unik të akuzuarin e dënoi me 14 vite burgim.

Gjykata dënim plotësues të akuzuarit i shpalli edhe konfiskimin e armës dhe fishekëve të armës.

Të akuzuarit ju ngarkuan edhe shpenzimet e procedurës dhe paushalli gjyqësor.

Ndërsa palën e dëmtuar për kërkesën pasurore juridike, gjykata e udhëzoi në kontest civil.

Gjithashtu, palët u njoftuan nga gjykata për të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë çështje.

https://kallxo.com/vrasja-per-prerjen-e-malit-ne-viti-rigjykimi-ndaj-bujar-emerllahut-drejt-fundit/

https://kallxo.com/rrefimi-i-te-akuzuarit-vrasja-ne-malet-e-vitise-ndodhi-pas-mosmarreveshjes-per-dru/

https://kallxo.com/vrasja-ne-mal-gjyakata-vendos-qe-te-shikohet-vendi-ku-kishte-ndodhur-rasti/

.