Ilustrim

Gjykata vendosi për të dyshuarit për grabitje në pompën e derivateve

Gjykata e Gjakovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve M.Sh. dhe B.Z.

Sipas njoftimit të Gjykatës, Prokuroria dyshon se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale- grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Me datë 29 gusht dyshohet se të pandehurit M.Sh. dhe B.Z. të pajisur me armë zjarri dhe me një automjet me targa të falsifikuara, të maskuar, shkojnë në pompën e derivateve “F.O.” në fshatin Xërxe të Rahovecit, duke përdorur dhunë e nën kërcënimin e armëve, nga arka marrin shumën e të hollave në vlerë prej një mijë euro si dhe nga xhepi i të dëmtuarit D.M. i marrin shumën prej njëqind euro.

Më pas të dy largohen në drejtim të panjohur.

Me rastin e kontrollit dhe bastisjes së shtëpisë nga ana e Policisë, të dyshuarit M.Sh. i janë gjetur një pushkë e tipit “Shoot gun” dhe një revole e tipit “TT”.

Me këto veprime dyshohet se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale – grabitje, ndërsa për të pandehurin M.Sh. edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Të njëjtit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet nga data 30 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2019.

https://kallxo.com/ligji/video-momenti-kur-grabitesit-rrahin-punetorin-e-pompes-se-derivateve-ne-gjakove/

Gjyqtari i procedurës paraprake Gëzim Pozhegu ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve M.Sh. dhe B.Z., thuhet në njoftimin e Gjykatës.