Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendosi për inspektorin e arrestuar për ryshfet

Gjykata e Prishtinës, njofton se ndaj inspektorit të arrestuar ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji.

E lajmin se paraburgimi i është caktuar inspektorit G. R. për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja për informim Mirlinda Gashi.

Inspektori i Prishtinës i arrestuar në flagrancë më 29 shtator me 12 mijë euro në çantë, të dyshuara si ryshfet, sot doli para Gjykatës së Prishtinës.

Gjykata e Prishtinës, me gjykatësin Vesel Ismaili, mbajti  seancë në të cilën shqyrtoi kërkesën e prokurorit Ardian Gashi për caktimin e paraburgimit.

Sipas Gjykatës, ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe mund të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, si dhe  do të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur ose ndryshuar  provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në dëshmitar dhe në të dëmtuarin.

KALLXO.com ka raportuar se më 29 shtator, një inspektor i Prishtinës është arrestuar në flagrancë duke kryer veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Arrestimi është  bërë nga njësiti NJHRKEK – Prishtinë i Policisë së Kosovës, pasi kanë pranuar informatën nga ankuesi se i njëjti edhe pse ka pasur leje ndërtimi nga inspektori në fjalë i janë kërkuar para për ta lejuar ndërtimin.

Njësiti NJHRKEK – Prishtinë ka ndërmarrë veprimet hetimore për simulimin e kësaj vepre penale siç janë sigurimi i parave, fotografimi i numrave serik të tyre.

Paratë e Policisë në shumë prej 12 mijë euro ishin gjetur në çantën e inspektorit me rastin e arrestimit të tij.

Pas arrestimit, inspektori me vendim të Prokuroisë së Prishtinës është dërguar në ndalim 48 orë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 29 shtator 2020, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë është arrestuar në flagrancë  një inspektor i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar.

“Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’”, ka thënë tutje policia.