Gjyqtari Sali Berisha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata vendosi për gjykatësin e arrestuar

Gjykata në Prishtinë i ka dhënë 30 ditë paraburgim gjykatësit të Pejës, Sali Berisha, i cili u arrestua mbrëmë.

Lajmin për caktimin e masës së paraburgimit e konfirmoi për KALLXO.com avokati i tij, Gëzim Kollçaku.

“Po ia kanë caktu masën e paraburgimit në afat prej 1 muaji. Do të ta apelojmë vendimin”, tha per avokati Kollçaku.

Më herët, Gëzim Kollçaku tha se prokuroria nuk ka prova për akuzat për të cilat është arrestuar klienti i tij.

Pas përfundimit të seancës për caktimin e masës paraprake, Kollçaku tha se pret që brenda një orë, gjykata e Prishtinës të dalë me një vendim.

“Me kërkesën e prokurorit special, i mbrojturi im dyshohet se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe armëmbajtjes pa leje. Nga shkresat e lëndës që i kemi pranu nga gjykata kemi pa qe nuk ka asnjë provë”, tha Gëzim Kollçaku.

“Provat materiale krejt tregojnë ndryshe, tregojnë pafajësinë e të mbrojturit tim. Unë shumë jam i bindur që i mbrojturi im do të dalë në fund i pafajshëm ngase edhe te gjyqtari i procedurës paraprake asnjë veprim inkriminues nuk është cekur në dispozitivin e aktvendimit për fillimin e hetimit”, shtoi ai.

“Nuk është e vërtetë që i është konfiskuar një armë edhe paratë, aty policia mundet me fol i ka ato raportet e vërteta, por unë e di jam konsultu me të mbrojturin e di se qysh kanë ardhë ato pare. Krejt ka qenë një montazh prej një personi i cili e ka të kaluarën kriminale i cili disa herë është dënuar për vepër penale të mashtrimit. I mbrojturi im vetëm ka ra në grackë të mashtrimeve dhe i dëshirës të ndonjë personi tjetër të caktuar që ky me ra në grackë tek ai person”, tha avokati Kollçaku.

Ai mohoi që gjyqtari Berisha t’i ketë marrë 4 mijë euro.

“Kam kërku sot prej prokurorit, nuk ka provë materiale se i ka marrë, ajo është veç një deklaratë ndoshta e atij personit e që unë nuk e kam pa ende deklaratën”, tha ai.

Historia e ngjarjes

Dy mijë euro kesh i ishin gjetur në xhep Gjykatësit nga Peja, Sali Berisha pas masave të fshehta të aplikuara nga Prokuroria Speciale

Gjykatësi i Pejës, është arrestuar dje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se fillimisht kishin marrë informacione nga viktima që ka denoncuar gjyqtarin për abuzim të funksionit të tij zyrtar.

Prokuroria thotë se ka dyshim të bazuar që gjykatësi ka kërkuar dhe ka marrë 4 mijë euro ryshfet në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij.

Më pas gjatë operacionit policor(masave të fshehta) të zhvilluar me datën 19 shtator 2019, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar shumën prej dy mijë eurove.

Gjithnjë sipas prokurorisë, këto para ai i kishte marrë në  proces për të finalizuar shumën prej 6 mijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.

Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë 2 mijë euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit’.

Me aprovim të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar armë, karikator, 10 mijë euro, shkresa dhe shkresa të gjykatës.

Kallxo.com ka raportuar për arrestimin e gjyqtarit.