Gjykata vendosë për Orhan Kqikun, i dyshuar për shkaktimin e aksidentit me fatalitet

Orhan Kqiku, i dyshuar për shkaktimin e aksidentit me fatalitet është sjellë para gjykatës në Gjilan për t`u përballur me kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit.

Kqiku po dyshohet se e shkaktoi aksidentin ku pësij lëndime një person e më pas vdiq si pasojë e vetaksidentit të autoambulancës që po e transportonte për në QKUK.

Pas lexim të kërkesës nga prokurori Shaban Spahiu, i pandehuri tha se e ka të qartë kërkesën e Prokurorisë dhe se nuk ka se çka të shtojë, përpos se i vjen keq për rastin i cili i ka ndodhur.

“Adriatikun që nga mosha 5 vjeçare e kam pasur shok, bashkë me të edhe jemi rritur, kurrë në jetë nuk kemi pasur problem me të”, tha i pandehuri Kqiku në mes lotësh.

Kurse mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Ilmi Dalipi e kundërshtoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“E kundërshtoj këtë kërkesë si të pa bazuar pasi që sipas meje, Prokuroria me provat e grumbulluara deri më tani për këtë çështje penale nuk ka siguruar prova të mjaftueshme se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Klienti im nuk ka se si të ndikoj në dëshmitar, ashtu siç tha prokurori pasi që përveç viktimës nuk ka qenë askush tjetër aty. I propozojmë Gjykatës që të shqiptoj një masë tjetër alternative e jo paraburgimin”, tha avokati Dalipi.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, i dyshuari Orhan Kqiku, me datën 29 janar ka shkaktuar aksident dhe me të ishte edhe Adriatik Shaqiri. Tutje në kërkesë thuhet se i njëjti pasi e ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij e godet një shtyllë elektrike prej betoni, ku tani i ndjeri Adriatik Shaqiri pëson lëndime trupore. I njëjti dërgohet për trajtim në Spitalin e Gjilanit e më pas në QKUK në Prishtinë ku edhe konstatohet vdekja e tij.

Kujtojmë se tani i ndjeri Adriatik Shaqiri pasi ishte nisur për në QKUK, nga Spitali i Gjilanit, në rrugën Gjilan-Prishtinë, autoambulanca vet aksidentohet dhe ai vdes. Aty lëndohen edhe shoferi i autoambulancës, mjeku dhe infermierja, që ishin në përcjellje të tani viktimës.

Gjyqtari i procedurës paraprake Islam Thaqi e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për caktim e paraburgimit duke e zëvendësuar atë me arrest shtëpiak ne kohëzgjatje prej 30 ditësh.