Gjykata vendosë për të dyshuarit që gjuajtën me armë në ndejën ku ishte edhe Nasim Haradinaj

Gjashtë persona ishin arrestuar dhe janë ndaluar nga policia në një aksion që zgjati tre ditë nga policia në Rajonin e Prizrenit.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com kishte raportuar të premten e kaluar, ku në bazë të disa video-incizimeve ishte parë se në një ndejë të organizuar në fshatin Restelicë kishte pasur edhe të shtëna armësh ndërsa prezent ishte edhe Sekretari Organizativ i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Ndaj katër të arrestuarve Prokuroria e Prizrenit kishte paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit, ndërsa secili i dyshuar për nga dy vepra penale: armëmbajtja pa leje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Por Gjykata e Prizrenit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, dhe ndaj katër të dyshuarve është shqiptuar masa e paraqitjes në stacion Policor.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prizrenit, është shqiptuar masa e paraqitjes në Stacion Policor ndaj katër të dyshuar me iniciale: A.D. nga fshati Restelicë dhe ndaj  F.H., G.K., dhe F:H., që të gjithë nga Prizrenit, dhe kjo masë vlen në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Të dyshuarit më 20 gusht nga ora 13:00 deri në orën 14:30 në fshatin Restelicë në Dragash në vendin e quajtur “Shapka”, në një aheng të organizuar nga i dyshuari A.D, që të katër të dyshuarit kanë gjuajtur disa herë me armë në vendin ku ishin mbledhur një numër i madh i njerëzve duke e rrezikuar jetën e të pranishmëve.

Policia rajonale në Prizren për tri ditë radhazi 29, 30 dhe 31 gusht, ka kryer bastisje te të dyshuarit dhe gjatë aksionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar, tre revole, dy armë gjuetie, 22 gëzhoja të shkrepura, 150 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar sekretarin e Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili nuk e ka mohuar pjesëmarrjen në ndejë, por ka thënë se nuk ka pasur gjuajtje me armë, ani pse pamjet e publikuara nga KALLXO.com tregonin diçka tjetër.

Të shtëna armësh në ndejën me sharkia ku i ftuar ishte edhe Nasim Haradinaj