Foto-ilustrim

Gjykata vendos për të dyshuarin për krime lufte Goran Stanishiq

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për të dyshuarin për krime lufte, Goran Stanishiq.

Sot është mbajtur seanca, e mbyllur për publikun, për të vendosur lidhur me masën e sigurisë.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit ishte parashtruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Goran Stanishiq ishte arrestuar para dy ditëve.

Në bazë të komunikatës së Prokurorisë Speciale “ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G.S., në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policore të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve përreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë”.

Me këto veprime i pandehuri Goran Stanishiq, sipas pretendimeve të Prokurorisë, dyshohet se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për arrestimin e Goran Stanishiqit.

https://kallxo.com/arrestohet-nje-i-dyshuar-per-krime-lufte-ndaj-popullates-shqiptare-ne-lipjan-gjate-vitit-1999/?fbclid=IwAR3002smID0obN-tKL4D4jrUEWBMjA3uYORS98ok-fg_1ptD_9DnLd6O5U0

www.kallxo.com