Gjykata vendos për të akuzuarën e cila iu kishte bashkuar ISIS-it

Valmira Kelmendi, e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste, u shpallë fajtore dhe u dënua me 2 vite burgim me kusht.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e pandehura me qëllim që të marrë pjese në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, me datë 30.3.2015, duke vepruar me dashje dhe dijeni për veprimet e veta, është nisur së bashku me bashkëshortin e saj M. B. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta edhe Fitim Dervishi nga Kçiqi i Madh/ Mitrovicë, për në Shkup të Maqedonisë, për të arritur në drejtim të Stambollit/Turqi dhe më tutje në Siri.

Më tutje, aktakuza shpjegon se të pandehurit i janë bashkangjitur grupit terrorist, veprime këto të kryera në vazhdimësi, deri në kohën kur është dorëzuar te Forcat Kurde në fillim të vitit 2019, e ku ka qëndruar për rreth dy muaj, kurse më datë 20.4.2019, është deportuar në Kosovë.

Sipas aktit akuzës, edhe i pandehuri Fitim Dervishi,  me qëllim që të marrë pjese në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, me datë 30.3.2015, duke vepruar me dashje dhe dijeni për veprimet e veta, fillimisht nga fshati Kçiq i Madh/ Mitrovicë deri në Shkup, së bashku me gruan e tij, të pandehurën G. A. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta M. B. dhe Valmira Kelmendi, kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit/Turqi, e ku më pas kanë hyrë në territorin e Sirisë dhe i bashkëngjitet grupit terrorist ISIS.

Dënimi me kusht Kelmendit nuk do t`i ekzekutohet nëse brenda periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale. Në të kundërtën, ndaj të akuzuarës Kelmendi, ky dënim do t’i zëvendësohet me burgim efektiv, dhe në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrestin shtëpiak.

Gjyqtarja Shadije Gërguri e urdhëroi të akuzuarën që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu ose te këshilluesit e tjerë, në pajtim me rekomandimet e tyre, në kohëzgjatje për dy vite e gjashtë muaj. Ndërsa lidhur me shpenzimet procedurale, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, e njëjta ishte liruar.

E akuzuara Valmira Kelmendi në seancën e shqyrtimit fillestar më datë 19 shkurt 2020 e kishte pranuar fajësinë, për veprën penale më të cilën ngarkohej.

Me po të njëjtën vepër po akuzohet edhe Fitim Dervishi, por meqenëse i njëjti kishte munguar ishte veçuar procedura ndaj tij.