Gjykata vendos për profesorin nga Vushtrria, i dyshuar për sulm seksual ndaj nxënëseve

Gjykata e Mitrovicës ka vendosur rreth kërkesës së Prokurorisë për masën e sigurisë ndaj  H. A., i arrestuar më 20 janar nën dyshimet për sulm seksual të nxënëseve të mitura.

Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgim për të dyshuarin.

KALLXO.com merr vesh se Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar një muaj paraburgim për profesorin nga Vushtrria, i dyshuar për sulm seksual ndaj dy nxënëseve të mitura.

Mësimdhënësi H.A. është arrestuar më 20 janar nën dyshimet për sulm seksual ndaj një nxënëse në gjimnazin “Eqrem Qabej” në Vushtrri.

Një prind bashkë me vajzën e tij kanë denoncuar rastin në shkollë, ndërsa drejtori i shkollës ka njoftuar Policinë.

‘’Me rastin e denoncimit menjëherë e kam ftuar arsimtarin e lëndës, e kam lajmëru Policinë”, ka thënë Lulzim Bivulaku, drejtori i gjimnazit “Eqrem Qabej”.

Sipas Drejtorit të Arsimit, Afrim Namani ka konfirmuar se prindi ka denoncuar mësimdhënësin e vajzës së tij.

“Rasti ka ndodhur dje, ka ardhur një prind bashkë me vajzën e tij që është nxënëse e klasën së dhjetë këtu në gjimnaz. Prindi ka pretenduar në bazë të deklarimit të tij që vajza e tij është ngacmu nga mësimdhënësi i edukatës fizike, të njëjtën deklaratë e ka konfirmuar edhe nxënësja”, tha Namani.

Pas intervistimit mësimdhënësi është ndalur në stacion policor për 48 orë.

“Mund të konfirmojmë se i dyshuar është arrestuar nën dyshimin për ngacmim seksual. Rasti është në procedurë hetimore, përderisa i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë”, ka thënë zëdhënës i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ndërsa, Drejtoria e Arsimit kanë paralajmëruar se do të ndjekin masat ligjore për të ndëshkuar profesorin.

“Masat tona do të jenë, masat disiplinore qysh i para sheh ligji. Sigurisht më e pakta do të jetë pezullim i përkohshëm deri në një vendim final nga organet e drejtësisë”, ka thënë Afrim Namani.

Mësimdhënësi i edukatës fizike, H.A. në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ka kandiduar për asamblist në Komunën e Vushtrrisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Skandal – Profesori arrestohet nën dyshimet se ngacmoi seksualisht nxënësen e tij në Vushtrri