Gjykata vendos për masën e sigurisë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të 'Ambientit' në Pejë
Gjykata Themelore e Pejës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë “Ambienti”, të cilët ishin arrestuar ditë më parë nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Gjykata ka marrë vendim më të cilin ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve ndaj A. M., Sh. G., dhe F. A. Kurse ndaj të dyshuarve I. B., N. A., D. B. dhe A. J., gjykata ka caktuar masën e ndalesës për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, masë e cila është caktuar në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Personat e lartpërmendur dyshohen për veprat penale si deklarimi i rremë nën betim, legalizimi i përmbajtjes së rreme dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këto masa gjykata i ka shqiptuar pasi që ka gjetur se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se me caktim e këtyre masave mund të arrihet qëllimi i shmangies së asgjësimit, ndryshimit të provave dhe ndikimit në dëshmitar.
Fillimisht kërkesa e prokurorisë që ndaj A. M., të shqiptohet masa e paraburgimit për 30 ditë për veprat penale deklarim i rrem nën betim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare, ishte refuzuar nga gjykata për t`u shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.
Kërkesë për paraburgim ishte bërë edhe ndaj Sh. G., F. A., dhe I. B., për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e cila po ashtu ishte refuzuar nga gjykata. Ndërsa arresti shtëpiak ishte kërkuar ndaj N. A., D. B., dhe A. J., për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kërkesë e cila po ashtu ishte refuzuar nga gjykata.
Prokuroria Themelore në Pejë me datën me 16 mars kishte ndërmarrë një aksion në Ndërmarrjen Publike të Pastrimit “Ambienti”, ku ishin arrestuar 10 persona nën dyshimin për keqpërdorim të pozitave zyrtare.