Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata vendos për izraelitin e dyshuar për pornografi me fëmijë

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurin A.S., shtetas i Izraelit, i cili dyshohet për veprën penale – keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.

Sipas vendimit të Gjykatës, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe me qëllim që të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, pasi që i pandehuri A.S. është shtetas i Izraelit.

“Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të të pandehurit si dhe sjelljet e tij të mëparshme, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsëris veprën e njëjtë apo të ngjashme penale. Këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore të parapara nga neni 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2.3. të KPPK-së, për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S. që nga data 13.10.2019 e deri më datë 14.10.2019, përmes softverit kompjuterik “E-Mule” ka shpërndarë pornografi për fëmijëve, ashtu që i njëjti gjatë kësaj kohe ka shpërndarë 19 video me përmbajtje pornografike për fëmijë dhe disa video të tjera, të cilat i janë zënë në flagrancë nga policia.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.