Gjykata vendos për ish-zyrtarët e komunës së Gjilanit

 

Inspektorët Merita Cana-Shabani, Shkëndije Mahmuti-Hajdini, Baki Azemi dhe ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, për të tretën herë janë liruar nga akuzat.

Gjykata e Gjilanit përsëri edhe në këtë shqyrtim të tretë gjyqësor që ishte urdhëruar nga Gjykata e Apelit, nuk ka mundur të gjej fajtor të akuzuarit.

Kujtojmë se në seancën e fundit prokurori Arben Kadriu, pati kërkuar dënimin e të akuzuarve.

“Prokuroria qëndron pranë aktakuzës dhe konsideron që pas gjitha provave dhe shqyrtimeve do të vërtetohet se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale që ua vënë në barrë aktakuza”, pati thënë prokurori Kadriu.

Gjithashtu përfaqësuesi i Komunës së Gjilanit pati deklaruar se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe do të kërkojnë kompensimin e dëmit.

Mbrojtësit e të akuzuarve patën kërkuar lirimin e  të akuzuarve në mungesë të provave.

Sipas Prokurorisë katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014, në Gjilan nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.