Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendos për inspektorin e ATK-së, dyshohet se mori ryshfet para, tavolinë e karrige

D. F., inspektor në ATK, pritet të qëndrojë një muaj në paraburgim si i dyshuar për marrje ryshfeti, pasi Gjykata e Gjakovës aprovoi kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, inspektori D. F., do të qëndrojë në paraburgim deri me datën 14 maj 2020.

“I pandehuri D. F. me 14 janar 2020, në Rahovec në zdrukthëtarinë “B…”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që i njëjti duke qenë në cilësi të inspektorit të ATK-së në Prizren, e me qëllim të mos inspektimit të punëtorisë së të dëmtuarit A. H., përmes të pandehurit tjetër B. H. ky i fundit në cilësinë e kontabilistit në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari A. H. ka marrë 100 euro para të gatshme si dhe një 1 tavolinë dhe katër 4 karrige në vlerë prej 360 euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Gjakovës.

Sipas vendimit të Gjykatës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri B.H. me datë 14 prill 2020, si kontabilist i dyqanit ka marrë nga i dëmtuari A. H., edhe 500 euro të tjera, të cilat para paraprakisht i dëmtuari i kishte marrë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë duke u zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit, përkatësisht simulimi i veprës penale të korrupsionit.

Përmes kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës së Gjakovës, është arritur që i pandehuri të zihet në flagrancë dhe të arrestohet nga Policia e Kosovës.

Me këtë veprime i pandehuri D. F., dyshohet që në mënyrë të tërthortë ka përfituar materialisht për vete përmes të pandehurit B. H. si kontabilist, ku dyshohet të ketë kryer dy vepra penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Pas caktimit të paraburgimit, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Dje gjatë ditës, Administrata tatimore e Kosovës ka suspenduar nga puna inspektorin D. F., në lidhje me dyshimet për korrupsion.

Sipas Policisë, këto para D. F., i kishte marrë përmes një personi të dytë (kontabilistit B. H.), në këmbim të mos-shqiptimit të gjobës apo kontrollimit të biznesit të tij.

Në këtë rast, Policia e Kosovës kishte aplikuar masat e fshehta të hetimit, saktësisht “blerje e simuluar”, në të cilin hetim është arrestuar në flagrancë kontabilisti.

Kontabilisti ishte zënë duke pranuar shumën prej 500 euro, para këto të cilat janë pranuar për inspektorin.

Lidhur me rastin, personat e dyshuar të arrestuar janë: D. F., i lindur me 1977 dhe B. H., i lindur me 1990.

Pas intervistimit të të dyshuarve, PK thekson se në konsultim me prokurorin kompetent, me vendim të tij i dyshuari D. F. (inspektor i ATK-së) është ndaluar në mbajtje, ndërsa i dyshuari B. H. (kontabilisti) është liruar në procedurë të rregullt.