Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Gjykata vendos për drejtorin e akuzuar të kompanisë 'Eco Higjiena' në Gjilan

Senad Ramaj, ish-drejtor i kompanisë “Eco Higjiena” në Gjilan, është liruar nga akuza e cila e ngarkonte atë me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ky shqyrtim i dytë ishte urdhëruar nga Gjykata e Apelit, pasi që Gjykata e Gjilanit të akuzuarin e kishte liruar nga akuzat në shqyrtimin e parë.

Kujtojmë se prokurori i Shtetit, Isuf Sadiku, duke dhënë fjalën përfundimtare pati deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, andaj i pati propozuar Gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtorë.

Kurse i akuzuari Ramaj, para trupit gjykues ishte shprehur se nuk e ndien veten fajtorë, madje edhe kishte kërkuar nga Gjykata që të ndërmarr masa ndaj dëshmitarëve që sipas tijë kishin dhënë deklarata të pa vërteta.

Andaj, nga këto rrethana i pati propozuar Gjykatës që ta lirojë nga akuzat.

Ramaj, sipas prokurorisë kishte shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16 mijë e 249 euro.

Aktakuza thoshte se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale, ndërsa shitja e tyre (sipas Prokurorisë), e kishte dëmtuar kompaninë për 64 mijë e 327 euro.

Kujtojmë se Gjykata e Gjilanit, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza Senad Ramajn, por Gjykata e Apelit në maj të vitit 2019 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim pas ankesës së Prokurorisë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK