Foto: KALLXO.com

Gjykata vendos për aktakuzën ndaj Milaim Zekës për shkelje të privatësisë

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e ish-deputetit Milaim Zeka për hedhjen e aktakuzës për fotografim dhe incizim të paautorizuar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Florent Latifi, mbrojtës i të akuzuarit Milaim Zeka.

“Po, shkalla e parë e ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës”, tha avokati Latifi.

Por ndaj vendimit refuzues të shkallës së parë është parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Jemi duke pritur vendimin e Apelit”, shtoi avokati Latifi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Milaim Zeka në maj të vitit 2017, në një restorant në Prishtinë, pa autorizim e ka incizuar palën e dëmtuar B.D., e më pastaj duke u bazuar në atë incizim, sipas Prokurorisë, i njëjti në rrjetin social “Facebook”, e ka publikuar edhe një artikull që aludonte në tani të dëmtuarën, duke përfshirë kështu jetën e saj private.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria po pretendon se Milaim Zeka e ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës B.D.