Gjykata vendos ndaj të dyshuarve për kanosjen ndaj vëllait të pronarit të barnatores ‘Rexall’

Gjykata e Prishtinës u ka caktuar masën e sigurisë të dyshuarve për kansojen ndaj vëllait të pronarit të barnatores ‘Rexall’ në Prishtinë.

Masa ‘ndalimi për të ju afruar vendit a po personit’ është caktuar për kanosjen që të pandehurit B.M. dhe A.S. dyshohet se i kanë bërë vëllait të pronarit të barnatores.

Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit, e cila është refuzuar nga gjykata.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.M dhe A.S e ka refuzuar dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e ndalimit  për të ju afruar  vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaj për secilin veç e veç” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Të pandehurve iu është ndaluar t’i afrohen të dëmtuarit në një largësi prej 500 metra.

Sipas prokurorisë para disa ditësh ishte sulmuar me mjet të fortë edhe pronari i kësaj barnatore.