Foto: Ilustrim

Gjykata vendos masën e sigurisë ndaj Kadri Shalës, i dyshuari i dytë lidhur me vjedhjen nga Thesari

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar 30 ditë paraburgim Kadri Shalës, i dyshuar për përfshirje në vjedhjen e mbi 2 milionë e 70 mijë eurove nga Thesari i Shtetit

Seanca paraprake është mbajtur me dyer të mbyllura për publikun.

Kadri Shala, i dorëzuar dje në polici ka dalë sot para gjykatësit të procedurës paraprake si i dyshuar për shpëlarje të parave. Më saktësisht, Shala është njëri prej pronarëve të kompanisë LDA Group ku sipas Prokurorisë u transferuan paratë e vjedhura nga buxheti.

Shala është përballur me kërkesën e Prokuorisë Speciale  lidhur me  caktimin e paraburgimit për të cilën ka vendosur gjyqtari special Musa Kongjeli.

Kadri Shala  me urdhrin e Prokurorisë Speciale është dërguar në ndalim pasi ishte vetdorëzuar në Polici më 26 tetor.

Në lidhje me rastin e skandalit të vjedhjes së parave nga buxheti i shtetit, zyrtarit të Thesarit Labinot Grudës  më 22 tetor i është caktuar paraburgimi  në kohëzgjatje prej një muaji për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas dosjes së Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit Labinot Gruda, të siguruar nga KALLXO.com, ai dyshohet se ka kryer 4 transaksione në vlerë totale prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K. me numër të biznesit 811342617, të regjistruar me dt.21.08.2019 me seli në Llapushnik.

“Për të pandehurin Labinot Gruda, ekziston dyshimi i bazuar se me dt.09.10.2020, në intervalin kohor prej orës 12:11 deri në orën 12:19, nga zyra e tij në Ministrin e Financave-Thesari i Kosovës, duke krijuar userë të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme ka realizuar katër transaksione në vlerë të përgjithshme prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K. me numër të biznesit 811342617, të regjistruar me dt.21.08.2019 me seli në Llapushnik, komuna e Gllogocit, rruga “Osman Krasniqi” nr.14 me pronar Kadri Shala dhe Valon Shala”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari Gruda me veprimet e tij dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro.

Nis seanca ndaj të dyshuarit për “avullimin” e mbi 2 milionë eurove të Thesarit të Shtetit