Peja | Foto: KALLXO.com

Gjykata ua njeh shpërblimin jubilar 70 pensionistëve pejanë, Komuna detyrohet t'u paguajë mbi 160 mijë euro

Gjykata e Pejës në një nga vendimet e saj të fundit ka vendosur që 70 pensionistëve pejanë, Komuna e Pejës t’u paguajë shpërblimin jubilar.

70 pensionistët me profesion të gjithë mësimdhënës përmes kërkesë padisë i kanë kërkuar Gjykatës që ta detyrojë Komunën e Pejës, përkatësisht Drejtorinë e Arsimit, që t’ua paguajë vlerën për kompensimin e pagave për përcjellje në pension dhe shpërblim jubilar, ne vlerë të përgjithshme të kontestit prej më shumë se 160 mijë eurove.

Lah Kastrati, Isa Loci, Sefki Abdul, Bekë Demaj, Shefik Kadusha, Lebibe Ajdini, Ismail Hysaj, Rexhep Bajraktari, Shahzade Kelmendi, Hejdije Kelmendi, Beqir Berisha, Jahja Berisha, Gani Krasniqi, Gjylfidane Libusha, Sabernaze Ajdini, Idriz Krasniqi, Mustafa Pelaj, Riza Husaj, Nysrete Zeka, Zekije Krasniqi, Isa Nikqi, Fane Demaj, Mehmet Demaj, Shaban Nikqi, Gjyle Zekaj, Rrustem Gërguri, Shaqë Gashi, Mejreme Berisha, Mehmet Nikqi, Sejdi Zogaj, Periha Morina, Fehriha Bilalli, Mane Rugova, Istref Atashi, Qazim Shala, Flurije Vokshi, Muhamet Çelaj, Jakup Dranqolli, Haxhi Salijaj, Halit Dreshaj, Ibrahim Bezeraj, Servete Mulliqi, Muhamet Shala, Ramiz Mulliqi, Hasnije Hoxha, Beqë Nikqi, Akija Qufaj, Muhamed Muhaxheri, Shahe Kelmendi, Myvedete Loxha, Sheribane Behluli, Xhevë Shala, Lejlifere Kelmendi, Qemalije Dranqolli, Adem Rraci, Xhemalije Haradinaj, Hate Xhemajli, Marash Ademi, Neki Morina, Sali Lajqi, Ndrec Krasniqi, Ismet Shala, Gjylfidale Hoti, Zekije Sheremeti, Ramë Goqaj, Kimete Mulhaxha, Qefsere Sylejmani, Mustafë Krasniqi, Sahadete Juniku, Fahrije Gjakova, 70 mësimdhënësit nga qyteti i Pejës, të cilët tashmë janë në pension janë bërë bashkë për të kërkuar pagat për shkuarje në pension si dhe shpërblimin jubilar të cilin pretendojnë se u takon.

Secilit prej tyre, me këtë vendim, në emër të shpërblimit jubilar do t’u takojnë shuma e tri pagave bazë neto si dhe shuma e shpërblimit për përcjellje në pension në shumën e tri pagave të fundit.

Të njëjtit përmes të autorizuarit të tyre Blendor Shatri, zyrtar ligjor në SBASHK, kanë parashtruar padi për kompensimin e pagave për përcjellje në pension dhe shpërblim jubilar, ku përmes kërkesë padisë ata kanë deklaruar se kanë qenë në marrëdhënie të rregullt pune te e paditura Komuna e Pejës – Drejtoria e Arsimit, që sipas tyre kanë punuar në cilësinë e mësimdhënësit dhe atë deri në kohën e pensionimit.

Për shkak të arritjes së moshës 65 vjeçare (pensionimit), me një vendim të Drejtorisë së Arsimit të Pejës, atyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës. Por pas pensionimit, 70 pensionistët e bërë bashkë i kërkuan Gjykatës së Pejës, që ta detyrojë Komunën e Pejës që t’u bëjë kompensimin e pagave jubilare dhe pagave për përcjellje në pensionim, njëherësh duke e llogaritur për secilin veç e veç me kamatë ligjore lartësinë prej 8% duke filluar nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive.

Lidhur me pretendimet e mësimdhënësve pejanë, e paditura Komuna e Pejës, përmes përfaqësueses Drita Sopa – Gashi kanë deklaruar se e kundërshtojnë kërkesë padinë, sepse sipas tyre paditësit nuk kanë të drejtë në paga jubilare, e në veçanti të thirren në një kontratë që sipas të paditurve tashmë është e shfuqizuar.

Sipas të paditurve, paditësit janë thirrur në një kontratë të shfuqizuar e cila nuk prodhon efekt juridik pasi që sipas tyre vetë SHBASHK-u me nënshkrimin e kontratës kolektive të arsimit të datës 18 prill 2017 e kanë shfuqizuar këtë kontratë.

Ndërsa pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës, përkatësisht gjyqtari i kësaj çështje Veton Ademaj ka marrë aktgjykim me anë të të cilit e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësve duke vendosur që të njëjtëve tu kompensohet shuma në vlerë prej 160,563.98 eurove.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Komuna e Pejës ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.