Arkiv

Gjykata tejkaloi afatin në rastin e ’53 milionëshit’

Procesi gjyqësor i aferës më të madhe korruptive e cila pretendohet të ketë ndodhur ndonjëherë në Kosovë ka hasur në shkeljen e parë procedurale.

Rasti ku po akuzohet një ish ministër dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës nuk ka filluar brenda kohës së paraparë me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas Ligjit, Pal Lekaj dhe të tjerët do duhej të paraqiteshin në bankën e të akuzuarit gjatë muajit mars mirëpo kjo nuk ka ndodhur pasi në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale paraqitja e parë e të akuzuarve është caktuar më 20 prill të këtij viti apo gati 1 muaj me vonesë.

Kodi i Procedurës Penale në Republikën e Kosovës parasheh se pas ngritjes së aktakuzës gjykata duhet të caktojë seancën fillestare e cila duhet të mbahet brenda tridhjetë ditëve.

Ky afat nuk është respektuar pasi PSRK kishte paraqitur aktakuzën ndaj ish ministrit Pal Lekaj dhe zyrtarëve Eset Berisha e Nebih Shatri me 4 shkrut të vitit 2022.

Një aktakuzë tjetër për rastin e 53 milionëshit ishte ngritur më 18 shkurt të këtij viti ndaj të akuzuarit të katërt Besim Tahiri.

Pal Lekaj dhe të tjerët po akuzohen nga Prokuroria Speciale se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e 53 milionë e 100 mijë euro në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Bechtel-Enka për shtyrjen e afatit të përfundimit të punësimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Pra, më 5 qershor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit apo siç njihet edhe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Në atë kohë, Pal Lekaj kishte thënë se ndarja kishte ardhur si shkak i “dështimit të qeverisë së kaluar që të paguaj me rregull faturat dhe konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguaj 63 milion euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të qeverisë.

Pal Lekaj, si ministër i Infrastrukturës që në atë kohë drejtonte edhe Komitetin Ndërministror, po akuzohet nga Prokuroria Speciale se në kundërshtim me Statutin dhe Kodin e Sjelljes, pa i informuar dhe pa marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti, ka angazhuar këshilltarin e tij të lartë, Eset Berisha që të merr pjesë në negociata me Bechtel-Enka “për të përcaktuar koston financiare”. Këto ishin detyra jashtë fushëveprimtarisë dhe kompetencave të një këshilltari politik, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, Eset Berisha, sipas aktakuzës, nën udhëzimet dhe në bashkëpunim të plotë me Pal Lekajn ka zhvilluar biseda me Bechtel-Enka-n dhe janë pajtuar që të zgjatet afati i përfundimit të punësimeve deri më datë 31 Dhjetor 2018 dhe që Ministria e Infrastrukturës të paguaj koston financiare shtesë në llogari të kësaj kompanie në vlerë prej 45 milionë euro, shumë e cila sipas aktakuzës me shpenzimet e TVSH-së prej 18 për qind arrin shumë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

 

Detaje nga aktakuza ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve për 53-milionëshin