Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Supreme vërteton dënimin prej 25 vjetësh burgim për Suzana Zogiani-Sekiraqën

Më 20 maj 2021, Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtëses së të dënuarës Suzana Zogiani-Sekiraqa, e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Prishtinës të datës 17 dhjetor 2019 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 3 korrik 2020, për vrasje të rëndë.
Zogiani-Sekiraqa më 17 dhjetor 2019 ishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë, me ç’rast ishte dënuar më 25 vite burgim, me të cilin dënim i ishte llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 5 tetor 2018.

Sipas aktakuzës, më 21 nëntor 2018 rreth orës 08:30 në banesën e saj në qytetin Dole – Francë, ku ishin duke jetuar së bashku me të ndjerin, e pandehura Suzana Zogjani – Sekiraqa me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj.
Prokuroria pretendon se Zogiani-Sekiraqa e kishte kryer vrasjen, duke e goditur të ndjerin me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesën e sipërme të qafës si dhe në pjesën e poshtme të qafës.

Në aktakuzë përshkruhet se, këto veprime të dhunshme kanë shkaktuar prerjen e kokës viktimës.
Kujtojmë se më 21 shkurt 2019, Zogiani-Sekiraqa ishte deklaruar e pafajshme.
Lidhur me akuzat e Prokurorisë e pandehura Suzana Zogiani – Sekiraqa në deklaratën e saj në Prokurori kishte treguar se para ngjarjes tragjike, ajo dhe bashkëshorti i saj për një kohë kishin shkuar për të jetuar në Francë pasi që kanë pasur probleme me familjen e të ndjerit, dhe për shkak të problemeve shëndetësore të djalit të tyre.
Ndërsa thuhet se, ajo kishte theksuar se me të ndjerin Artan Sekiraqa gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë ka kaluar mirë, por edhe në Francë, deri sa i ndjeri ka filluar të përdorë substanca narkotike ku është shndërruar komplet në person tjetër.

Më tutje ajo kishte deklaruar se, ka pasur raste ku i ndjeri e ka rrahur dhe keqtrajtuar të pandehurën dhe djalin pa asnjë arsye, me këtë e pandehura kishte njoftuar Policinë dhe asistencën sociale.
Në po të njëjtën deklaratë të dhënë në Prokurori, e pandehura ka pohuar se natën para se të ndodhë rasti, i ndjeri Artan Sekiraqa ka qenë shumë nervoz.
Të nesërmen në mëngjes sipas deklaratës së të pandehurës, pra ditën kritike e pandehura deri sa ka qenë duke fjetur me një jog me të ndjerin, e ka dëgjuar një krismë, i ka dalë gjumi e ka parë që nuk e ka telefonin afër, kur i ka qelë sytë ka parë të ndjerin me sakicë mbi të.

Ajo kishte thënë se, të ndjerit i ishin skuqur sytë, e pandehura kishte bërtitur me tërë fuqinë që e ka pasur, dhe me të dy këmbët e ka shtyrë, në atë moment i ndjeri është ulur dhe sëpatën e ka mbajtur në dorë, e pandehura pohon se është zgjuar shpejt ia ka marrë sëpatën, ia ka dredhur dy duart, pastaj e ka goditur me sëpatë në qafë.
Ndërsa ajo kishte thënë në Prokurori, se kur e ka parë se po i del gjak, është tërhequr i ka rënë sakica nga duart, i ndjeri është çuar prapë, ka dashtë me kapë sëpatën por e pandehura e ka goditur prapë deri sa i ndjeri ka rënë për tokë.

E pandehura kishte deklaruar se të ndjerin e ka dashur, se me dëshirë është martuar me të, se është babai i fëmijëve të saj, se emrin e tij e ka tatuazh në dorën e majtë, porse ka theksuar se për shkak të problemeve dhe rrethanave që janë krijuar ka ardhur deri te kjo vrasje, dhe se as vetë nuk e di se si ka ndodhur kjo ngjarje.

Shtyhet seanca ndaj të dyshuarës se vrau burrin me sëpatë