Gjykata Supreme sqarohet në lidhje me deklaratën e babait të 14-vjeçares që ka raportuar se ka qenë viktimë e tentim-dhunimit

Vitin e kaluar një vajzë e mitur 14-vjeçare ka deklaruar se është përballur me tentim-dhunim brenda një shkolle në Prishtinë.

Babai i vajzës së mitur në një rrëfim për KALLXO.com ka treguar se si ka marrë vesh për rastin dhe si është trajtuar nga organet kompetente.

Gjatë rrëfimit të tij, ai ka thënë se përkundër reagimit të menjëhershëm të institucioneve të drejtësisë për arrestimin e personit të dyshuar, më pas familja nuk ka pranuar informacione lidhur me trajtimin e këtij rasti.

Prindi i vajzës 14-vjeçare tha se për shkak të lirimit të të dyshuarit nga paraburgimi, vajza e tij shkon me frikë në shkollë. Ai tha se pasi që i dyshuari është liruar nga paraburgimi, i njëjti e ka përcjellë vajzën e tij deri te lokali.

“E kanë dëgjuar teksa ka thënë ‘A po nxen dielli, s’ka që më ndal mua” – ka thënë babai i vajzës.

Gjatë rrëfimit të tij, babai i vajzës 14-vjeçare e ka përmendur gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, për të cilin ka thënë se sipas tij, ky gjyqtar e ka liruar nga paraburgimi të dyshuarin.

“Nuk kemi pasur asnjë informatë nga gjykata, përpos që gjyqtari Agim Maliqi e ka lëshuar nga paraburgimi. Vajza shkon me frikë në shkollë” – kishte deklaruar babai i vajzës 14-vjeçare.

Lidhur me deklaratën e babait të vajzës 14-vjeçare, KALLXO.com kishte dërguar pyetje tek Gjykata Supreme mirëpo deri në transmetimin e emisionit nuk kishte pranuar përgjigje.

Pas transmetimit të emisionit, KALLXO.com ka pranuar një reagim nga Gjykata Supreme të cilët kanë sqaruar se të njëjtit u janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com, mirëpo pasi që ka pasur një problem teknik me serverët nuk është arritur që të transferohet përgjigja përmes email-it e nisur në adresën e KALLXO.com.

Në sqarimin e tyre, kjo Gjykatë ka deklaruar se lidhur me rastin në fjalë, Gjykata Supreme nuk e ka liruar nga paraburgimi të dyshuarin, por e ka shpallur kërkesën e mbrojtësit të tij si jolëndore.

Lidhur me masën e paraburgimit kundrejt të dyshuarit për tentim-dhunimin e 14-vjeçares, Gjykata e shkallës së parë, fillimisht i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaji të dyshuarit, më pas me ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit lënda kishte shkuar në Gjykata e Apelit. Kjo gjykatë me aktvendim e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit lidhur me ndërprerjen e kësaj mase.

Sipas sqarimit të Gjykatës Supreme, më pas ndaj këtyre aktvendimeve kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte paraqitur mbrojtësi i të dyshuarit, por meqë të dyshuarit tashmë i kishte skaduar afati i caktimit të paraburgimit, Gjykata Supreme kishte vlerësuar se kërkesa nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit pasi që lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, Gjykata Supreme nuk është kompetente.

Reagimi i plotë i Gjykatës Supreme:

Lidhur me pyetjet tuaja, të dërguara dje, me datë 07.09.2022, Gjykata Supreme, sic biseduam edhe përmes telefonit, ka kthyer përgjigjen tek ju, në orën 14:58 minuta, dhe nuk kemi marrë asnjë indikacion që e-maili nuk është pranuar nga ana juaj (bashkëngjitur screen e dërgimit të e-mailit). 

Si rrjedhim, gjatë ditës së sotme, Gjykata Supreme ka bërë një sqarim për opinionin si dhe gjyqtari i apostrofuar, Agim Maliqi, ka bërë një reagim përkitazi me deklaratën e babait të 14 vjeçares, i cili në emisionin “Kallxo Përnime”, të transmetuar mbrëmë, me datë 07.09.2022, në Rtv Dukagjini, deklaron se të pandehurin e dyshuar për sulm seksual e ka liruar nga paraburgimi gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi.

Pas bisedës telefonike, se ju nuk keni pranuar përgjigje nga Gjykata Supreme, dhe pas testimit të e-mailit zyrtar, rezulton se ka probleme teknike me serverët zyrtar, ku si rrjedhim nuk po arrihet të përcillen e-maile në adresat jo-zyrtare, ndërkohë që serveri funksionon përbrenda.

Ndaj, duke pasur parasysh që këto probleme teknike kanë penguar bashkëpunimin dhe komunikimin me kohë, ju lusim, që për hir të sqarimit të opinionit për të vërtetën, ta publikoni përgjigjen e Gjykatës Supreme dhe reagimin e gjyqtarit Agim Maliqi.

“Gjykata Supreme nuk e ka liruar nga paraburgimi te pandehurin, por e ka shpallur kërkesën e mbrojtësit të tij si jo lëndore, për shkak se si del nga shkresat e lëndës, të pandehurit, Gjykata e shkalles së parë, me aktvendimin Ppr.nr.997/2021 të datës 28.11.2021 ia ka caktuar paraburgimin për një muaj, i cili do të mund t’i zgjaste deri më datën 26.12.2021. Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit, me aktvendimin PN1DP.nr.1474/2021, të datës 08.12.2021, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit. 

Ndaj këtyre aktvendimeve ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, mbrojtësi i të pandehurit, e cila kërkesë në Gjykate Supreme është pranuar me 06.01.2022.

Duke pasur parasysh faktin se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është pranuar në këtë gjykatë, pasi që të pandehurit i ka skaduar afati i caktimit të paraburgimit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se kërkesa nuk mund të jetë objekt shqyrtimi dhe si e tillë është jolëndore, sepse, pavarësisht shkeljeve të pretenduara në kërkesë, i pandehuri e ka mbajtur paraburgimin prej një muaji, siç i është caktuar. Ndërkaq, lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, Gjykata Supreme nuk është kompetente”.

Lidhur me këtë çështje sqarime ka dhënë edhe vet gjyqtari Agim Maliqi.

Gjyqtari Maliqi në sqarimin e tij ka pranuar se Gjykata ka pasur problem me serverët prandaj përgjigja nuk është arritur të dërgohet në KALLXO.com.

Me tej gjyqtari po ashtu ka sqaruar edhe një herë faktin se lidhur me rastin në fjalë, trajtim i kësaj çështjeje nga Gjykata Supreme ka qenë e pa mundur pasi që kërkesa ka qenë jo lëndore.

Po ju shkruaj në lidhje me emisionin e mbrëmshëm (07.09.2022) të transmetuar nga “Kallxo Përnime” në televizionin Dukagjini, me ç’rast është paraqitur rrëfimi i prindit të 14 vjeçares duke u përmendur emri im si gjyqtar, i cili, kinse ka ndërprerë masën e paraburgimit të pandehurit për këtë rast, andaj pas shikimit të emisionit jap këtë sqarim. Fillimisht po ju njoftoj me faktin se në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Kosovës vendosim në përditshmëri numër të konsiderueshëm të rasteve dhe është e pamundur që të kemi njohuri për detajet e secilit rast, e posaçërisht duke marrë parasysh faktin se ditën kur jam kontaktuar përmes telefonit nga ana e gazetares Adelina Ahmeti (data 07.09.2022, rreth orës 13:00) kam qenë jashtë zyrës, përkatësisht duke shkuar në takim zyrtar. E kur kësaj i shtohet fakti se bëhet fjalë për një rast që është vendosur në muajin janar të vitit 2022, atëherë përkundër qasjes bashkëpunuese që kam pasur çdoherë me gazetarë të mediumeve të shkruara dhe elektronike, nuk kam mundur të ofroj asnjë të dhënë për këtë rast. 

Megjithatë, përmes telefonit, gazetaren e kam njoftuar se nuk mund të paraqes detaje të rastit meqë nuk jam në zyre, mirëpo të njëjtën e kam udhëzuar që për informata të detajuara t’i drejtohet zëdhënëses së Gjykatës Supreme të Kosovës, znj. Antigona Uka-Lutfiu dhe sipas informacioneve që kam, gazetarja ka kontaktuar zëdhënësen dhe ka marrë informacione të mjaftueshme dhe në kohë reale për rastin. Mirëpo, në ndërkohë e kuptuam problemin teknik me serverin shtetëror.

Si prind që jam e kuptoj në tërësi shqetësimin e prindit dhe potencimin e emrit tim, se kinse kam liruar të pandehurin nga masa e paraburgimit (meqë po supozoj se bëhet fjalë për person pa njohuri të mirëfillta të lëmisë juridike). Mirëpo, në asnjë rrethanë nuk mund të kuptoj qasjen e Redaksisë suaj, i përbërë nga një numër i konsiderueshëm i juristëve dhe profesionistë të fushës, ndaj më lejoni t’ju sqaroj se; asnjëherë dhe në asnjë rast, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, për çështjet e paraburgimit (por, as për çështje tjera) që janë në kompetencë të Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk vendos individualisht një gjyqtar i vetëm, por vendimmarrja bëhet nga kolegji prej tre gjyqtarëve, andaj potencimi i emrit tim, sipas pikëpamjes time, paraqet minimalisht qasje të qëllimshme të denigrimit të personalitetit tim si gjyqtar me karrierë të pasur në gjyqësor.

Besoj se tashmë keni marrë përgjigjen e Gjykatës Supreme, që sqaron se kjo gjykatë nuk ka bërë lirimin e të pandehurit nga masa e paraburgimit, siç ka dal në opinion. Por me aktvendim, i pandehuri nuk është liruar nga paraburgimi, por është vendosur sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë së mbrojtësit të të pandehurit, e cila kërkesë, është hedhur si e palejuar, pra thënë më thjesht, aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe i vërtetuar nga ana Gjykatës së Apelit nuk është prekur nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës, andaj edhe të pandehurit,  nuk është e vërtetë se kjo gjykatë i ka ndërprerë masën e paraburgimit. 

Pra, konsideroj se në emisionin në fjalë është paraqitur informacion i pasaktë dhe i pa verifikuar, andaj pres që kjo pasaktësi të korrigjohet nga ana e Juaj, duke publikuar të dhënat e potencuara në këtë sqarim”.

Më poshtë mund të gjeni rrëfimin e babait të 14-vjeçares.