Gjykata Supreme: Inspektori Lulzim Çitaku u lirua kundërligjshëm

Gjykata Supreme e Kosovës e ka vlerësuar të kundërligjshëm lirimin e Lulzim Çitakut, inspektorit të Minierave dhe Mineraleve i cili akuzohej për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Supremja me gjyqtarët Nesrin Lushta, Valdete Daka dhe Agim Maliqi, kanë vlerësuar se Gjykata e Pejës dhe Gjykata e Apelit kanë shkelë ligjin në favor të inspektorit në momentin kur e kanë shpallur atë të pafajshëm për marrje të ryshfetit.

Gjykata me e lartë në vend konstatoi se sikur të zbatohej drejt ligji, Lulzim Çitaku do të shpallej fajtor për marrje ryshfeti pasi ka pasur prova të mjaftueshme se i njëjti ka qenë në dijeni dhe është pajtuar që bashkë me kryeinspektorin Nuredin Bislimi të merrnin ryshfet 1000 euro nga pronari i një gurthyesi në Klinë.

“Lulzim Çitaku ka qenë në dijeni për bisedat e të dënuarit Nuredin Bislimi dhe B. dhe se është pajtuar me të gjitha që janë marrë vesh ata, pra edhe për marrjen e ryshfetit prej 1000 euro, për të dytë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme të siguruar nga KALLXO.com.

Lulzim Çitaku akuzohej se më 8 nëntor 2013, në fshatin Grabanicë të Klinës kishte shkuar te pronari i gurthyesit Bedri Elezaj nga i cili Nuredin Bislimi kishte marrë 1000 euro ryshfet për të mos kryer punën zyrtare.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se një ditë më parë, më 7 nëntor, Lulzim Çitaku dhe Nuredin Bislimi kishin kontaktuar vazhdimisht dhe ishin marrë vesh që të nesërmen të shkojnë te Bedri Elezi që të merrnin 1000 euro, 500 kryeinspektori Bislimi dhe 500 inspektori Lulzim Çitakun në mënyrë që të mos e ndëshkonin.

Për këto akuza, kryeinspektori Nuredin Bislimi e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 muaj burgim, dënim të cilin nuk e kishte mbajtur asnjëherë dhe nuk do ta mbajë kurrë, pasi më 8 maj 2019, ekzekutimi i dënimit ndaj tij u vjetërsua.

Gjykimi për inspektorin Lulzim Çitaku kishte vazhduar. Ai në nëntor të vitit 2015 ishte shpallur i pafajshëm nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sylë Lokaj.

Me pafajësinë e tij nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Pas mbajtjes së rigjykimit, për të dytën herë Gjykata e Pejës me gjyqtarët Syle Lokaj, Sami Sharaxhiu  dhe Sejdi Blakaj e kishin shpallur Çitakun përsëri të pafajshëm.

Me pafajësinë e tij, në shkurt të vitit 2019 ishte pajtuar edhe Gjykata e Apelit.

Gjyqtarët e Apelit, Driton Muharremi, Afrim Shala të kryesuar nga gjyqtarja referuese Mejreme Memaj kishin vlerësuar se aktgjykimi lirues i marrë nga gjykata e Pejës ishte i drejtë.

Kundër këtyre aktgjykimeve, prokurorja Sahide Gashi me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ishte drejtuar në Gjykatën Supreme, e cila pas vlerësimit të rastit e konsideroi të kundërligjshëm lirimin e inspektorit për marrje ryshfeti.

Supremja e vlerësoi të drejtë pafajësinë e Çitakut për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi nuk është vërtetuar se i njëjti  kishte kërkuar të qeraset me dreka e darka për të mos i ndëshkuar bizneset.

Emisioni Drejtësia në Kosovë, në dhjetor të vitit 2013 kishte transmetuar hulumtimin në të cilin pronari i separacionit Bedri Elezaj ankohej se inspektorët i kishin kërkuar atij ryshfet. Elezi tregon si ka bashkëpunuar me policinë për kapjen e këtyre dy inspektorëve.