Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Supreme e “vulos” vendimin e Qëndron Kastratit për vazhdimin e reformës në arsim

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e prindërve nga Kamenica lidhur me atakimin e vendimit për vazhdimin e fazës së tretë të reformës në arsim në këtë komunë.

Beteja e prindërve nga Kamenica dhe Komunës së Kamenicës ka kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe atë të Apelit.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj të fundit të janarit të këtij viti e kishte aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës dhe i kishte dhënë dritën jeshile vazhdimit të reformës pasi për dy herë radhazi Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që ta aprovonte kërkesën e prindërve nga disa fshatra të Kamenicës të cilët kërkonin shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës për fazën e tretë të riorganizimit të shkollave, raporton KALLXO.com.

Të pakënaqur me vendimin e Apelit, prindërit nga Kamenica lëndën e dërguan në Supreme.

Mirëpo Gjykata Supreme në vendimin e saj ka konstatuar se Gjykata e Apelit ka vepruar drejt kur e ka aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës, vendim i cili çoi në refuzimin e kërkesës së prindërve që kërkuan shtyrjen e ekzekutimit të Komunës për riorganizimin e shkollave.

Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e tretë të riorganizimit të shkollave.

Ky vendim përfshin shkollat në fshatrat: Karaçevë e Epërme, Karaçevë e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë, Poliçkë, Shipashnicë e Epërme, Shipashnicë e Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell dhe Dajkoc.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të siguruar nga KALLXO.com thuhet se prindërit nga Kamenica me asgjë nuk e kanë provuar se me ekzekutimin e vendimit të organit administrativ do t’u shkaktohet dëm i cili vështirë që do t’u riparohej paditësve. Sipas Supremes meqë kumulativisht nuk janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me ligjet për konfliktet administrative, Gjykata ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar kërkesën e prindërve për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit që i dha të drejtë Komunës.

Të pakënaqur me vendimin e Komunës së Kamenicës, disa prindër të kësaj komune, të prekur nga ky vendim, çështjen e kanë dërguar në Gjykatë.

Me anë të padisë së ushtruar, prindërit e përfaqësuar nga zyra ligjore ABOliver & Associates, me përfaqësuesit ligjorë Alexander Borg Oliver dhe Besim Osmani, po e kontestojnë vendimin e kësaj Komune, me ç ‘rast po kërkojnë anulimin e këtij vendimi, si dhe shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje.

Kujtojmë se Gjykata Supreme në një nga vendimet e saj të fundit ka hedhur poshtë edhe ankesën e prindërve të Busovatës, të cilët kishin kërkuar rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte konfirmuar vendimin e Themelores për refuzim të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit për reformën në arsim në Kamenicë. 

Derisa prindërit dhe Komuna e Kamenicës janë duke vazhduar ‘betejat’ e tyre në Gjykatë, ditë më parë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të komunës së Kamenicës.

Ky vendim nuk u përkrah nga kryetari i kësaj Komune, Qëndron Kastrati, i cili kritikoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për vendim ‘shkel e shko’.

Mësimdhënësit e fshatrave të Kamenicës mes dy zjarreve, ta dëgjojnë Komunën apo Ministrinë