Gjykata Supreme e kthen në rigjykim rastin e mërgimtarit të akuzuar për aksident trafiku

Deri në Gjykatën Supreme të Kosovës ka shkuar rasti i një mërgimtari, i cili nga Prokuroria e Mitrovicës po akuzohet se ka shkaktuar aksident trafiku me lëndime të rënda trupore.

Sipas Prokurorisë, Enver Hasani në korrik të vitit 2019 në rrugën në afërsi të lokalit “EDI” në fshatin Stanovc, derisa ishte duke drejtuar automjetin “Mercedes kombi” me tabela gjermane duke shkelur ligjet për trafikun publik, ka ndërmarrë veprime pa qenë i bindur se nuk i rrezikon ose nuk i pengon pjesëmarrësit e tjerë në trafik si dhe në rrugën me përparësi kalimi duke i dhënë përparësi kalimi mjeteve të cilat qarkullojnë në atë rrugë.

Akuza thotë se i pandehuri Hasani në momentin kur i afrohet kryqëzimit ia zë rrugën të dëmtuarës Arditë Muqolli, e cila ishte duke lëvizur nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës me automjetin e saj “Opel Corsa”, e në pamundësi për t’u ndalur për shkak të distancës shumë të shkurtë shkaktohet aksidenti i trafikut, ku e dëmtuara pëson dëmtime të shumta në trup e të cilat bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore.

Ndërsa tani i pandehuri Enver Hasani  dhe dëshmitari N.H., i cili ishte së bashku me të pandehurin pësojnë dëmtime të lehta trupore.

Më këtë Hasani akuzohet se ka kryer veprën penale -rrezikim  i trafikut publik.

Gjykimi lidhur me këtë rast kishte përfunduar vitin e kaluar në Gjykatën e Mitrovicës – dega në Vushtrri.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari i rastit, Agron Maxhuni, i pandehuri Hasani ishte dënuar më një vit burgim për veprën e kryer.

Hasani e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër në seancën e shqyrtimit gjyqësor, ku sipas aktgjykimit kishte shprehur pendesë për kryerjen e kësaj vepre duke i premtuar gjykatës se në të ardhmen nuk do të kryejë vepra penale.

Por e dëmtuara Arditë Muqolli pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri para gjykatës kishte shprehur shqetësimin se i pandehuri deri në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk kishte kërkuar falje, ndërsa në akuzën e Prokurorisë thuhet se në këtë aksident e dëmtuara kishte pësuar lëndime të natyrës së rëndë.

Për vendimin e Gjykatës së shkallës së parë kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Valdet Kadriu.

Por Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë duke thënë se me dënimin i cili i ishte shqiptuar të akuzuarit Enver Hasani do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij që të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

Por ky rast nuk ka përfunduar me kaq.

I akuzuari Hasani rastin e ka dërguar deri në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë përmes mbrojtësit të tij, tash avokatit Avdi Dinaj, të ushtruar kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë asaj të Mitrovicës – dega në Vushtrri.

Me këtë kërkesë Gjykata Supreme ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Mitrovicës, duke e kthyer rastin në rigjykim dhe vendosje.

Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë mbrojtësi i të dënuarit, avokati Dinaj ka theksuar se aktgjykimet e kundërshtuara janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale ngase në të nuk janë paraqitur arsyet lidhur me faktet vendimtare dhe arsyet e paraqitura janë të paqarta dhe kundërthënëse.

Gjykata Supreme duke i vlerësuar pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit ka gjetur se aktgjykimet e kundërshtuara, te pjesa e arsyetimit lidhur me shqiptimin e dënimit nuk janë dhënë arsye të qarta lidhur me faktet vendimtare për llojin dhe lartësinë e dënimit të shqiptuar.

Po ashtu në vendimit e Gjykatës Supreme thuhet se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë nuk kanë dhënë arsyetim lidhur me faktet vendimtare me rastin e vlerësimit të rrethanave rënduese e që paraqet shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Andaj për këto arsye Gjykata Supreme këtë rast e ka kthyer në rivendosje.

Seanca e radhës për rastin është caktuar për muajin shkurt, ndërsa ajo e sotme është shtyre me kërkesën e të dëmtuarës Muqolli, për shkak se mbrojtësi i saj ka pasur probleme shëndetësore dhe nuk ka mundur të prezantojë në seancë.