ZPS kërkon vazhdimin e paraburgimit për Pjetër Shalën

Ndaj Pjetër Shalës, i akuzuar për krime lufte, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, vazhdimin e paraburgimit.

Sipas ZPS-së paraburgimi i Shalës është i nevojshëm.

ZPS-ja ka gjetur se paraburgimi është në proporcion me dyshimin e bazuar se i akuzuari ka kryer veprat penale që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Gjithashtu ZPS-ja në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ka shkruar se nëse Shalës nuk i vazhdohet paraburgimi, ekziston rreziku i pengimit të zhvillimit të procedurës penale ose tentimi për të kryer vepra të tjera penale.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar, më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje aty thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.