Pjetër Shala - 23.04.2021

U mbajt konferenca ndaj Pjetër Shalës, prokuroria njoftoi për ecurinë e procesit

Sot është mbajtur konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin kundër të akuzuarit Pjetër Shala.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), njoftoi  se procesi tjetër i nxjerrjes se materialeve përfundon në korrik të këtij viti.

“Nxjerrja që përfundojë të premten ishte ajo e Materialit 102 1B, ishte e dyta e pjesshme, do të përfundojmë me nxjerrjen e të gjitha materialeve 102 1B deri në fund të korrikut”, tha sot prokurori nga ZPS.

“102 1A nuk janë materiale të reja por vetëm janë hequr disa redaktime”, tha tutje prokurori për materialet që lidhen me rastin.

“Materialet 107, ne po merremi me ofruesin e tyre, numri i tyre është më pak se 20, nuk kemi pas ndonjë vështirësi, por do të përditësojmë gjykatën nëse do të kemi ndonjë vështirësi”, vazhdoi prokurori.

Avokati i Pjetër Shalës, tha se procedurat e zhvilluara deri tash kanë vijuar pa probleme.

“Dua të theksoj nivelin e lartë të marrëdhënies profesionale, procesi i nxjerrjes se materiale sipas rregullit, 102 1A është zhvilluar dhe ka ecur pa probleme fare”, tha avokati mbrojtës i Shalës, Jean Louis Gilissen.

Gjyqtari pas dëgjimit të palëve në procedurë, përmes urdhrit gojor urdhëroi ZPS që dosjen e parë ta dorëzojë deri më 19 nëntor.

Gjyqtari përmes urdhrit gojor, urdhëroi mbrojtjen që të dorëzojë mocionet paraprake deri me 13 korrik, ndërsa ZPS-së deri më 13 gusht përgjigjet dhe mbrojtja ta këtë kundërpërgjigjen jo më vonë se 30 gusht 2021.

Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes parashihet të mbahet në shtator.

Kujtojmë se Shala për herë të parë është paraqitur në Gjykatën Speciale më 19 prill, ku është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Aty përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Për këto akuza Pjetër Shala ishte arrestuar me 16 mars në Belgjikë, ndërsa ishte transferuar në Hagë me datë 15 prill të këtij viti.

Prokuroria në Hagë rishikon aktakuzën ndaj komandant “Ujkut” (kallxo.com)