Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Salih Mustafës

Sot Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktgjykimin lidhur me rastin e Sali Mustafës i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali”.

Ky vendim do të jetë aktgjykimi i parë për krime të pretenduara të luftës që shpallet nga Specialja që nga themelimi i saj.

Më parë, kjo gjykatë ka dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Salih Mustafa akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor, të kryera në fshatin Zllash gjatë vitit 1999.

Mustafa gjatë paraqitjes së tij është deklaruar i pafajshëm për akuzat në fjalë.

Ai u arrestua më  më 24 shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Gjykimi ndaj Mustafës ka nisur më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtëses së viktimave.

Gjatë paraqitjes së çështjes së prokurorisë janë dëgjuar 14 dëshmitarë, një pjesë e madhe e tyre nën masa mbrojtëse.

Ndërkaq, më 22 mars 2022 u dha fjala hyrëse dhe u vazhdua me dëgjimin e 15 dëshmitarëve të mbrojtjes.

Në shtator të këtij viti mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit Mustafa t’i shqiptohet një dënim unik prej 35 vitesh burgim.

“I akuzuari mban përgjegjësi penale për vrasje dhe faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor sipas krimeve që është ngarkuar”- ka thënë në deklarimin e tij prokurori Smith.

Në fjalën përfundimtare ZPS ka thënë se Salih Mustafa ka pasur rol të dyfishtë, si komandant dhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në keqtrajtimet që janë kryer.

Trupi gjykues në çështjen e Mustafës udhëhiqet nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij, Salih Mustafa nuk e kishte pranuar fajësinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK