Sot mbahet seanca ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale

Seanca statusore në çështjen e akuzës së Salih Mustafës i njohur si komandant “Cali” është paraparë të mbahet sot.

Gjatë kësaj seance sipas vendimit të gjyqtarit është paraparë që të diskutohet për rrjedhën e procedurës.

Në seancë pritet të mësohet nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka ofruar mbrojtjes të gjitha provat dëshmuese dhe cilat prova kanë mbetur pa u zbuluar.

Po ashtu, gjatë kësaj seance pritet të shihet nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka përfunduar ose kur pritet të përfundojë hetimet në rastin e Mustafës.

Kjo është seanca e katërt statusore e cila po caktohet në çështjen e Salih Mustafës.

Në lidhje me këtë rast, javën e kaluar është marrë vendimi i fundit sa i përket çështjes së paraburgimit. Përmes këtij vendimi komandant “Calit” i është vazhduar qëndrimi nën këtë masë.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë në Hagë