Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Sot kryetari OVL UÇK-së, Hysni Gucati, del para Gjykatës Speciale në Hagë

Sot kryetari i organizatës OVL e UÇK-së, Hysni Gucati do të paraqitet në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Nga ora 15:00, fillon seanca në të cilën do të bëhet paraqitja e parë e Hysni Gucatit në këtë gjykatë.

Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga  gjykatës i  procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Nikolas Gulio.

Gucati është arrestuar për shkak se nga Zyra e Prokurorit të Specializuar  dyshohet për veprat penale frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje te fshehtësisë së procedurës penale.

Kujtojmë se Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj ishin arrestuar në të njejtën ditë për tu dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Seanca ndaj Nasim Haradinaj ishte mbajtur të martën.