Salih Mustafa refuzon të deklarohet para Gjykatës Speciale

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka refuzuar të jap deklaratë dhe t’i përgjigjet pyetjeve të trupit gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjatë së enjtes ishte paraparë të fillonte deklaratën i akuzuari për krime lufte Salih Mustafa, por i njëjti sipas gjykatëses Mappie Veldt-Foglia ndryshoi mendje.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Veldt-Foglia sot ishin planifikuar pyetjet për Mustafën lidhur me ngjarjet që u zhvilluan në prill të vitit 1999, por, përmes një parashtrese Mustafa njoftoi se ka ndryshuar qëndrim.

“Përmes parashtrimit të protokolluar me numër 410, i cili fatkeqësisht është bërë më pak se 24-orë përpara seancës së sotme, mbrojtja ka informuar se zotëri Mustafa e ka rimenduar qëndrimin e tij dhe nuk do të jap deklaratë pa betim dhe as nuk do të t’iu përgjigjet pyetjeve të turpit gjykues”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues Veldt-Foglia.

Tutje, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues e ka lëshuar një urdhër.

Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës pritet të mbahet në fillim të muajit qershor 2022.

Në procesin gjyqësor ndaj Mustafës janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve janë mbatur në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa, nga ana mbrojtjes së Salih Mustafës janë paraqitur 15 dëshmitarë.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.