Rashit Qalaj

Qalaj: Zyrtarët e OVL-UÇK-së kërkuan që rasti të hetohet

Rashit Qalaj, ka deklaruar se zyrtarë nga Organizata e Veteranëve të Luftës kanë kërkuar që rasti i dosjes të ardhura nga ZPS-ja të hetohet nga Policia e Kosovës.

“Zyrtarët e Veteranëve të Luftës kanë kërkuar që ky rast të hetohet nga policia dhe prokuroria, por përgjigjja që është marrë nga Drejtori i Policisë në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës ka qenë se kjo është kompetencë e Prokurorisë Speciale të Hagës”, ka thënë ai.

Prandaj sipas dëshmitarit, Policia nuk kishte vazhduar të merr informata apo të identifikojë personin që dyshohej se sillte dosje në organizatë.

Ndërkaq, për çështjen e dokumenteve dëshmitari Qalaj ka pohuar se Policia deri në mbajtjen e konferencave nuk ishte njoftuar.

Pas raportimeve të bëra nga mediat, sipas Qalajt, Policia e Kosovës kishte shkuar në zyrat e OVL-UÇK-së  ku janë takuar me Faton Klinakun dhe stafin e tij, me ç’rast policisë i është kërkuar të hetojnë rastin e dërgimit të këtyre dokumenteve në këto zyra.

“Zyrtarët e PK-së kanë shkuar në zyra të OVL-UÇK-së, pasi këto dokumente janë konfiskuar apo marrë nga hetuesit e Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar ai.

Tutja Qalaj rrëfeu se Faton Klinaku i kishte njoftuar se kopjen e vetme që e kanë pasur është marrë nga hetuesit të Dhomave të Specializuara.

“Përveç kësaj,  hetuesit janë njoftuar se disa kopje janë marrë nga disa përfaqësues të mediave që kanë qenë në një konferencë për medie në këto zyra ato ditë”, tha Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj sot ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin që po zhvillohet ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.