Qalaj në Speciale: Policia nuk u lejua të hetojë rastin e dokumenteve të OVL- UÇK-së

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj është ftuar sot si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin e krerëve të OVL-UÇK-së, të cilët po akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet të Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS) dhe ZPS-së.

Qalaj në pyetjet e prokurores Valeria Bolicci deklaroi se Policia e Kosovës nuk ishte lejuar që të hetoj rastin e dosjeve të ardhura nga ZPS-ja.

Qalaj u shpreh se përkundër bashkëpunimeve të shumta me misionet ndërkombëtare, kjo ishte hera e parë që Policia e Kosovës të mos ketë bashkëpunim me ZPS-ën.

“Kjo është hera e parë që Policia e Kosovës nuk ka pasur as një komunikim të vetëm me Dhomat e Specializuara që janë këtu në Hagë”, deklaroi Qalaj në Speciale.

Megjithatë, Qalaj gjatë dëshmisë së tij përmendi faktin se me 25 shtator 2020, ai ishte telefonuar nga një person i Speciales vetëm për t’u falënderuar për ndihmën që ka bërë policia për ta menaxhuar turmën në kohën e arrestimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur ndonjë kontakt, absolutisht të vetëm. Asnjë bisedë telefonike, as komunikim me shkrim. I vetmi komunikim ka qenë se më ka thirr dikush në telefon një ditë pasi është arrestuar z.Haradinaj. Ajo thirrje telefonike ka qenë falënderim për ofrimin e asistencë me datë 25 shtator”, ka shtuar Qalaj.