Nasim Haradinaj - 18.12.2020

Proteston Nasim Haradinaj, nuk paraqitet në Gjykatë

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka refuzuar që të paraqitet në seancën statusore të Gjykatës Speciale.

Ai refuzimin e pjesëmarrjes në seancë e ka arsyetuar me mënyrën se si është trajtuar deri me tani.

Pas konstatimit të mungesës së tij gjyqtari i procedurës paraprake deklaroi se refuzimi i Haradinajt për mos pjesëmarrje në seancë konsiderohet si mos vetdeklarim i tij në lidhje me fajësinë.

Pasi kësaj gjyqtari deklaroi se janë plotësuar të gjitha kushtet që ai të bëjë deklarimin e pafajësisë në emër të të akuzuarit Nasim Haradinaj.

Kjo është seanca e dytë kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt pas ngritjes së aktakuzës.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij ishte deklaruar i pafajshëm ndërsa Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Haradinaj gjatë fjalimit të tij kishte deklaruar se në vend të tij do të duhej që të ishin të akuzuar dikush nga prokuroret e specializuar.

Haradinaj dhe Gucati po qëndrojnë në masën e paraburgimit që  nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020,bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.

Nisen për në Hagë të arrestuarit e sotëm, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj