Gjykata Speciale në Hagë - Foto: REL/EPA-EFE

Prokuroria Speciale kërkon vazhdimin e paraburgimit ndaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-krerëve të UÇK -së, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Përmes një parashtrese drejtuar gjykatës, prokurori Jack Smith ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes apo pengimit të procedurave nga të akuzuarit.

Smith më tej ka pretenduar se ekzistojnë rrethana se të njëjtit mund të kryejnë krime të tjera ndaj personave që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarë.

“Këta faktorë krijojnë gjithashtu baza për të besuar se ekziston rreziku që z. Krasniqi dhe z. Selimi të kryejnë krime të ngjashme me ato për të cilën akuzohen”- thuhet në kërkesë.

Prokuroria Speciale ka arsyetuar se paraburgimi ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është i domosdoshëm pasi ata akuzohet për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Paraburgimi i të akuzuarve po ashtu është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm pasi z. Krasniqi dhe z. Selimi akuzohen për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe nëse dënohen, mund të përballen me një dënim të gjatë”- sqarohet në parashtresë.

Prokurori Smith kërkesën e paraburgimit e ka mbështetur edhe në ecurinë e çështjes.

“Vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm duke pasur parasysh ecurinë e çështjes dhe gjykimit, shtrirjen dhe kompleksitetin, dënimin e gjatë me burgim dhe rreziqet e paraqitura”- përfundohet kërkesa.

Parashtresën e plotë të publikuar nga Gjykata Speciale mund ta gjeni në këtë LINK.

Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit kundër Jakup Krasniqit https://repository.scp-ks.org/details.php?doc_id=091ec6e980d71bc3&doc_type=stl_filing&lang=sqi

Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit kundër Rexhep Selimit https://repository.scp-ks.org/details.php?doc_id=091ec6e980d72aaa&doc_type=stl_filing&lang=sqi

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ndaj tyre po rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Më 30 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Kjo aktakuzë është bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 22 korrik dhe 29 shtator 2022.

Paraprakisht më 29 shtator gjykatësi ka miratuar kërkesën e prokurorit për tërheqjen e pretendimeve për krime në territorin e komunës së Ferizajt.

Aktakuza përbëhet nga dhjetë pika me të cilat të akuzuarit po ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi e dinin apo kishin dijeni për krimet se ishin gati të kryheshin apo janë kryer nga vartësit e tyre.

Prokuroria më tej pretendon se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar krimet e tilla apo për të ndëshkuar autorët e krimeve.

Sipas aktakuzës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: Pika 1: persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit. Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit. Pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte” – thuhet në aktakuzë.

Ndërkaq, në pikën 4, ata ngarkohen me veprën – akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit. Kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte.

Në pikën e 6 ata ngarkohen me torturë, krim kundër njerëzimit. Pika 7: torturë, krim lufte. Pika 8: vrasje, krim kundër njerëzimit, Pika 9:  vrasje, krim lufte. Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit.

Në këtë aktakuzë përmenden edhe emra të tjerë si Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Sabit Geci, Lahi Brahimaj, Rrustem Mustafa, Latif Gashi e Shukri Buja

Aktakuza thotë se si komandant të zonave bashkë me anëtarë të tjerë të UÇK-së, kanë ndaluar persona për periudha të ndryshme kohore në mënyrë të kundërligjshme.

Të arrestuarit sipas Prokurorisë janë lidhur me zinxhirë dhe mbaheshin në dhoma të mbyllura me roje të armatosur.

Më tej aktakuza përshkruan se të arrestuarit u janë nënshtruar rrahjeve të rënda dhe abuzime psikologjike

Versionin e aktakuzës së ndryshuar, Gjykata Speciale e ka publikuar më 30 shtator në web-faqen e saj.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK.