Prokuroria kërkon dënim me burgim ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Prokuroria Speciale propozon dënim me burgim për Gucatin dhe Haradinajn

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar që i vetmi dënim i përshtatshëm ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt është ai me burgim.

Gjatë dorëzimit të dosjes së saj përfundimtare, prokuroria ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga gjashtë vjet burgim dhe me nga 100 euro gjobë.

Prokurori James Patch ka konsideruar se dënimi me burgim është një vendim i duhur, proporcional dhe i nevojshëm prandaj, trupi gjykues duhet të hedhë poshtë mundësinë e dënimit me gjobë.

“Një parashtrim tjetër i mbrojtjes që ju duhet të hidhni poshtë është që të jepet dënim me gjobë në këtë rast. Ne e kemi trajtuar këtë, dhe japim arsye të shumta pse, por do të them vetëm që paneli nuk duhet të vërë një vlerë monetare për kryerjen e krimeve për të cilat janë akuzuar të akuzuarit”, ka deklaruar prokurori.

Sipas Patch veprimet e Gucatit dhe Haradinajt kanë qenë me dashje konkrete për të penguar punën e gjykatës dhe për t’i frikësuar dëshmitarët.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Gucati e Haradinaj akuzohen se së bashku me persona tjerë organizuan dhe shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së po ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë nga 25 shtatori i vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK