Prokurori Jack Smith: Kundër Salih Mustafës do të dëshmojnë vetëm shqiptarë

Ndaj Salih Mustafës ish eprorit të UÇK-së që vepronte në zonën e Llapit, një vit pas arrestimit të tij, sot filloi shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Musatafa po ballafaqohet me Prokurorinë Speciale nën akuzën për vrasje, ndalim arbitrar, torturë dhe trajtim mizor.

Prokurori Jack Smith në fjalën hyrëse deklaroi se “në këtë gjykim do të thërrasim viktima shqiptarë të Kosovës, këta njerëz nuk ishin armiq, nuk ishin spiunë, krimi i vetëm i tyre ishte se konsideroheshin si pengesë për UÇK-në. Në këtë gjykatë do të dalë e vërteta se këta persona janë ndaluar, torturuar vetëm pse kanë pasur bindje politike të ndryshme me atë të UÇK-së”.

Prokurori Smith tha se hetimet janë fokusuar në njerëzit të cilët është dashur të mbrohen gjatë luftës dhe ZPS-ja nuk ngre aktakuza kundër UÇK-së, por akuzat kanë të bëjnë me emrat konkretë, për siç u shpreh ai “që nuk kanë pasur fare konsideratë në kryerjen e këtyre veprave”.

“Do të dëgjoni edhe anëtarët e familjes së personit të vrarë që nuk arriti të shpëtonte nga torturua”, tha Smith.

Arsyeja pse është krijuar kjo gjykatë në Hagë është frikësimi i dëshmitarëve që do të tregojnë historinë e tyre me të cilën jetojnë çdo ditë vazhdoi ai.

“Krimet e luftës të njërës anë, nuk i justifikojnë krimet e luftës të anës tjetër”, tha prokurori special Jack Smith.

Në fund të deklaratës së tij prokurori Smith tha “puna e kësaj gjykate është mundësia që drejtësia penale të vihet në vend, që viktimave t’u dëgjohet zëri dhe ta thonë të vërtetën pa pasur frikë nga hakmarrja si dhe të akuzuarit ta pastrojnë emrin e vet”.

Lidhur me këto akuza Mustafa më 28 tetor 2020 në Hagë ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa i njohur gjatë luftës si komandant Cali, po akuzohet se si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronte kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash ku dyshohet të jenë kryer krime.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarve nuk u kishin dhënë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe kushte higjienike e sanitare, fjetje, strehim dhe kujdes shëndetësor.

Pjesa e akuzës që ngarkon Mustafën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së personave të ndaluar u shkaktuan vuajtje ose dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk i ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme.