FOTO: Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi në Gjykatën Speciale

Një vit nga konfirmimi i aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sot është bërë një vit që kur aktakuza për krime lufte ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ishte ngritur në Gjykatën Speciale në Hagë.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza  për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakzuës këto krime thuhet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë si  në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Për këtë aktakuzë ish krerët e UCK-së, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi gjenden në paraburgim tash e një vit.

Shkak për mosfillimin e gjykimit ndonëse është konfirmuar aktakuza është kërkesa e prokurorisë për zgjatjen e afateve për dorëzimin e shkresave penale.

Mosdorëzimi i provave nga Zyra e Prokurorisë së Specializaur e ka ngrirë procesin në fazën e procedurës paraprake, kjo pasi  prokuroria nuk ka dorëzuar të gjitha provat me të cilat i ngarkon ish krerët e UÇK-së për krime lufte.

Prokuroria Speciale ka kërkuar zgjatje të afatit deri më 31 janar 2021 për dorëzimin e 3 pakove me prova.

Thaçit, Veseli, Selimi dhe Krasniqi fillimin e gjykimit po e presin të paraburgosur në Qendrat e Paraburgimit në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Katër muaj më pas në Gjykatën Speciale u dorëzua aktakuza e rishikuar e cila rëndonte mbi Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, për vrasje, torturë, abuzim, ndalim të disa personave shqiptarë në zonat e Kosovës si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnikë, Drenoc, Malishëve, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Mbi ta rëndon edhe akuza për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë.

Kjo aktakuzë u konfirmua nga gjykatësi Nikola Giju më 26 tetor 2020, ndërsa u bë publike konfirmimi i saj më 5 nëntor 2020.

Më 9, 10 dhe 11 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi patën paraqitjen e tyre të parë para gjykatësit të Procedurës Paraprake dhe u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

I pari i cili u ulë në bankën e të akuzuarit për t`u përballur me këto akuza ishte ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Krasniqi u shfaqë i emocionuar në Gjykatë dhe përpos që u deklarua i pafajshëm, u kujdes që të “akuzonte” Dhomat e Specializuara për trajtim jo të mirë ndaj tij.

Një nga deklaratat e para të Krasniqit në Gjykatë ishte se kurrë në jetën e tij nuk e kishte trajtuar dikë më keq se sa po e trajton tani Gjykata Speciale atë.

“Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit kaq keq, sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut në këtë ndërtesë, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, tha Krasniqi.

Ai gjatë seancës deklaroi edhe se UÇK -ja nuk mund të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale pasi ndërmarrje e tillë është Serbia.

“Cilësimi i Prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua dhe kombin tonë nuk ka diçka ma fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira u vumë në shërbim të lirisë dhe shtet ndërtimit të cilat i arritëm me SHBA, NATO-n dhe OKB, dhe të gjithë së bashku jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtete formuese, ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët por edhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, tha Krasniqi.

Më pak fjalë se Krasniqi para Gjykatës pati ish presidenti i Kosovës dhe një ndër themeluesi i UÇK -së Hashim Thaçi.

Thaçi nuk tha asgjë tjetër përpos deklarimit se është i pafajshëm, ndërsa gjatë seancës së tij vëmendjen e mori avokati i tij, i cili shfaqi kritikat për prokurorët dhe i pyeti se pse nuk janë pjesë e aktakuzës edhe pretendimet për trafikim organesh.

“Ku janë këto pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historia e ‘Shtëpisë së Verdhë’ që sepse këto ishin shumë të rëndësishme në lidhje me krijimin e kësaj gjykate”, tha avokati.

Në fund ai i kërkoi gjykatësit që të mos ia lidhnin duart ish-presidentit, pasi kështu po dëmtonin imazhin e tij. Mirëpo, kërkesa e avokatit u refuzua pasi sipas gjykatës rregullat janë të njëjta për të gjithë.

Me seancën për ish presidentin u mbyllë dita e hënë në Gjykatën Speciale për të rifilluar punën të nesërmen me paraqitjen e ish shefit të shërbimit informativ të Kosovës, Kadri Veselin.

Në orën 15:00 të së martës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u paraqit në Gjykatë.

Edhe Veseli sikurse Thaçi nuk komentuan akuzën dhe nuk u lëshuan në deklarata. Sikurse dy ish udhëheqësit që paraprakisht ishin paraqitur në Gjykatë edhe ish shefi i SHIK-ut u deklarua e pafajshëm në Gjykatë.

Madje përmes avokatit të tij Emmerson, Veseli i bëri thirrje popullit të Kosovës që të mos kenë mëri për ndërkombëtarët pasi ata po kryejnë punën të cilën ua ka kërkuar Kuvendi i Kosovës.

“I kërkojmë që të gjitha seksionet e shoqërisë sonë t’i përgjigjen kësaj gjykate me qetësi dhe dinjitet, me besim dhe dijeni, se gjykatësi do të japë vendimin e drejtë në fund. Ju lutem mbajeni në mend që kjo gjykatë megjithëse është në Hagë kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë nuk duhet të kemi asnjë lloj mërie ndaj ndërkombëtareve këta po bëjnë atë që ne kemi kërkuar ta bëjnë”, thuhet në letrën e shkruar nga Veseli, e lexuar nga avokati Emerson.

I fundit që u paraqit para Dhomave të Specializuara nga katërshja e UÇK -së ishte Rexhep Selimi.

Selimi përpos që u deklarua i pafajshëm, mbajti edhe një fjalim të shkurtër nga banka e të akuzuarit.

Ai tha se aktakuza e ngritur kundër tij dhe bashkëluftëtarëve të tij ishte e padrejtë dhe e rëndë për të dhe popullin e Kosovës.

“E pash aktakuzën e ngritur, ishte e rëndë, voluminoze dhe shumë e padrejtë, e pasaktë, e padrejtë ndaj meje dhe popullit”, tha Selimi.

Në fund ish bashkëthemeluesi i UÇK-së deklaroi se e ka luftuar Serbinë okupatore e cila i ka sjellë të këqija Kosovës.

“Po unë kam luftuar kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që veç të këqija i ka sjellë vendit tim, vrasje, spastrim etnik dhe gjenocid, unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim, unë jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark dhe me NATO-n”, tha Selimi.

Në procesin penal ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit janë deri tani janë mbajtur 12 seanca.

8 prej  këtyre 12 seancave janë seanca përgatitore në të cilat u diskutua dhe u morën vendime lidhur me 11  dëshmitarët e mbrojtur, zbulimin e materialit provues prej 11 mijë faqesh materialin e redaktuar.

Për muajin nëntor dhe dhjetor në këtë proces penal nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore.

 

Paraburgimi ndaj ish krerëve të UÇK-së

Tashmë e një vit ish krerët e UÇK-së gjenden në dhomat e paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndonëse ndaj të njëjtëve janë parashtruar mocione për mbrojtje në liri.

Më 22 janar 2021 gjykatësi Nikola Giju kishte refuzuar kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit për ish krerët e UÇK-së.

Kërkesa e njëjtë ishte refuzuar edhe me 30 prill nga Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara.

Gjykatësi i procedurës paraprake më 25 qershor 2021, ka marrë vendim e dytë me të cilin ka refuzuar kërkesat për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Selimit dhe Krasniqit, ndërsa më 2 dhe 23 korrik ka refuzuar kërkesat për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Veselit  dhe Thaçit.

Baza ligjore e gjykatësit Nikola Giju për mbajtjen e ish krerëve të UÇK-së në paraburgim, sa i përket rrezikut të pengimit të mbarëvajtjes së procedurave ose kryerjes së krimeve të mëtejshme, konsideron se asnjë nga kushtet e propozuara, ose ndonjë kufizim shtesë i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, nuk mund të kufizojë aftësinë të akuzurëve për të komunikuar, përmes çdo mjeti jopublik, me komunitetin e tij ose rrjetin mbështetës“, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Sipas gjykatës të akuzuarit përmes komunikimit të tyre mund të nxisin, ndihmojnë ose përndryshe angazhojnë të tjerët në frikësimin ose dëmtimin e atyre që përceptohen se janë kundër UÇK-së.

Po ashtu gjykata ka gjetur se të akuzuarit mund ta ushtrojnë ndikim në dëshmitarë përmes personave të tjerë lidhur me rastin, duke marrë parasysh edhe autoritetin dhe ndikimin që kanë mbi vartësit dhe mbështetësit, gjë që sipas Gjykatës nuk mund të monitorohet nëse të akuzuarit do të qëndronin në Kosovë.

Po ashtu Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara më 27 tetor hodhi poshtë përsëri kërkesën e të akuarëve për ndërprerjen e paraburgimit duke vërtetuar se të gjeturat e gjykatësit Nikola Giju janë në përputhje të plotë me seriozitetin e rastit penal.

Për mbrojtjen e katër ish krerëve të UÇK-së nga buxheti i Kosovës janë paguar 2,557.875 euro.

 

Mbrojtja e financuar nga Ministria e Drejtësisë

Hashim Thaçi po mbrohet nga mbrojtësi  Gregori Kiho dhe bashkëmbrojtësit  Dastid Pallaska, Pier Rishar Prosper për këtë mbrojtje nga Ministria e Drejtësisë janë paguar 661,901 euro  nga buxheti i Kosovës.

Për mbrojetjen e Kadri Veseli po mbrohet nga buxheti i Kosovës janë pagaur 379,724 euro.

Ndërsa për mbrojtjen e Rexhep Selimit janë pagaur 724,000 euro.

Mbrojtja që i ka kushtuar më së shumëti buxhetit të Kosovës është e Jakup Krasniqit në shumë prej 792,250 euro.