Në tetor pritet të nis gjykimi në Hagë ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Gjykimi ndaj ish krerëve të OVL-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të fillojë me 7 tetor të këtij viti.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të gjykatës.

Në njoftimin e gjykatës është thënë se përmes udhëzimeve është rregulluar çështja e prezantimit të provave nga palët dhe kryerja e procedurave lidhur me çështjen penale.

Po ashtu është kërkuar nga palët që të gjatë zhvillimit të gjykimit, të respektojnë këto udhëzime.

Haradinaj dhe Gucati kishin dalë para Dhomave të Specializuara në kohën kur ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ata po qëndrojnë në masën e paraburgimit që nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.